E premte, 30 Tetor 2026 Film TV deri në 23:59 Në vijim ora 00:00: Film TV Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Video · Kronikë

Skandali i “Bankers” në Apel, të akuzuarit kërkojnë ndryshimin e masave të sigurisë

Skandali Bankers është transferuar në Apelin e Përgjithshëm në Tiranë, ku të akuzuarit kanë dalë përpara togave të zeza pas ankimimit të tyre për vendimin e shkallës së parë. Për shkak të personave të akuzuar dhe mbrojtjes së tyre, seanca pritet të zgjasë disa orë. Përfaqësues të ambasadës kineze nuk u lejuan të ndjekin nga afër seancën.

Gjykata e Fierit la në fuqi masat e sigurisë për 10 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Bankers. Drejtori i Përgjithshëm, shtetasi kinez Hong Ping Xiao, ish-drejtori dhe Leonidha Çobo kanë masë sigurie “arrest në burg”. Pesë persona janë lënë në arrest shtëpie, ndërsa 3 të tjerë në detyrim paraqitjeje dhe ndalim të daljes jashtë vendit. Të akuzuarit pretendojnë se nuk kanë lidhje me akuzat dhe kërkojnë masa më të buta sigurie.

Reklamë

Gjykata e Fierit firmosi 14 masa sigurie në total, ku 10 prej tyre u ekzekutuan, ndërsa 4 punonjës janë ende në kërkim. Ishin hetimet e Prokurorisë së Fierit që zbuluan skandalin e madh të Bankers. Organi i akuzës ngriti 5 akuza në total: “krijim i skemave mashtruese lidhur me TVSH-në”, “fshehje e të ardhurave”, “pastrim i produkteve të veprës penale”, “shpërdorim detyre” dhe “moskryerje e detyrave nga organet tatimore”.

Sipas dosjes hetimore, kompania Bankers, e cila prej më shumë se 20 vitesh nxjerr naftë në Patos-Marinzë, ka shmangur taksat gjatë gjithë periudhës së operimit në vendin tonë. Bankers ka pretenduar se prej 20 vitesh kompania ka dalë me humbje në total 11.7 miliardë lekë, ndërsa gjatë kësaj kohe eksportoi 532 miliardë lekë naftë.

/vizionplus.tv

Më shumë video

Reklamë