Subscribe

Nisma e qeverisë për të hequr nga përdorimi qeset plastike mbajtëse ka shqetësuar industrinë prodhuese dhe përpunuese.

 

Me qëllim që të mos bllokohet puna e 27 kompanive që operojnë në këtë treg, Shoqata e Konvertuesve të Plastikës kërkon që projektligji aktual të tërhiqet dhe të merren paraysh kërkesat e biznesit.

 

VULLNET HAKA

SHOQATA E KONVERTUESVE TE PLASTIKES

 

“Trashësia e qeseve plastike shumëpërdorimshme të bëhet nga 35 mikron në 50 mikron. Qeset plastike shumëpërdorimshme të prodhohen me 100% lëndë të para që vijnë nga riciklimi. Kompanitë të instalojnë brenda një viti impiante riciklimi.”

 

Nëse pikat e tyre nuk do të merren parasysh, shoqatat e biznesit paralajmërojnë se do të vazhdojnë betejën ligjore në gjykata.

 

VULLNET HAKA

SHOQATA E KONVERTUESVE TE PLASTIKES

 

“Do t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese ose do të shkojmë deri në Arbitrazh sepse në 27 subjekte është investuar më shumë se 50 milionë euro dhe mbyllja e menjëhershme e aktivitetit do të kishte pasojë të fortë.”

 

Miratimi i ligjit siç propozohet nga Ministria e Mjedisit, sipas palëve të interesit, nuk e zgjidh plagën e plastikës në mjedis.

 

VULLNET HAKA

SHOQATA E KONVERTUESVE TË PLASTIKËS

 

“Qeset plastike nuk përbëjnë as edhe 0.8-1% të totalit të mbetjeve të plastikës. Po me pjesën tjetër çfarë ndodh?”

 

Por ekspertët thonë se edhe pse bëhet fjalë për një pjesë të vogël të plastikës, ndikimi në mjedis do të ishte i madh.

 

ENDRI HAXHIRAJ

INSTITUTI I POLITIKAVE MJEDISORE

 

“Plastika, qeset plastike kanë pasur një ndikim shumë të madh në mjedis dhe shëndetin e njeriut. Lumenjtë janë mbushur me plastikë, shpesh shumë njerëz i grumbullojnë dhe i djegin, kjo çliron dhe tym të rrezikshëm qoftë për shëndetin e njeriut, qoftë drejtpërdrejt kur marrim frymë, qoftë kur shkon në të mbjella. Qoftë 1%, qofë më pak, plastika është një nga plagët më të mëdha në mjedis.”

 

Apeli që bëjnë ekspertët për çështjet mjedisore është që nisma të zgjerohet.

 

ENDRI HAXHIRAJ

INSTITUTI I POLITIKAVE MJEDISORE

 

“Nisma të zgjerohet në konturet ligjore. Ne kemi gati direktivat e BE në këtë profil, plastika me një përdorim duhet të ndalohet në mënyrë kategorike.”

 

Nga 1 qershori, qeveria ka lajmëruar se do të heqë nga përdorimi qeset plastike mbajtëse. Për zbatimin e kësaj iniciative, ekspertët thonë se roli i qytetarëve është kryesor, ndaj ata duhet të kthejnë sytë nga trastat.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *