Kosova është thuajse e boshatisur pas masave të marra nga autoritetet për ndalimin e përhapjes së koronavirusit vdekjeprurës. 5 raste të konfirmuara janë raportuar deri tani ndërsa sipas ministrit te Shëndetësisë Arben Vitia të gjithë personat e afërt me të prekurit janë identifikuar dhe janë testuar, njëri prej të cilëve ka rezultuar pozitiv.

 

 

Autoritetet në Kosovë kanë vendosur në karantinë qytetin e Vitisë, Klinës dhe Malishevën, për shkak se rastet e konfirmuara me sëmundjen janë nga këto qytete. Në fqinjin tjetër, në Greqi, sëmundja vdekjeprurëse ka shënuar viktimën e 4, një burrë 53 vjeçar i cili ishte shtruar në spital që prej të hënës, por gjendja e tij u përkeqësua, për shkak se vuante edhe nga problem të tjera shëndetësore. Numri i të prekurve me covid 19 është rritur në 228 në Greqi.

 

Situata nga koronavirusi paraqitet kritike edhe në Serbi. 5 raste të reja u konfirmuan duke e çuar në 46 numrin e të prekurve me sëmundjen, gjendja e të cilëve paraqitet e qëndrueshme. Presidenti Aleksandër Vucic tha se nuk e përjashton mundësinë e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme në vend për shkak të përhapjes së epidemisë. Ndërkohë në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar 19 raste. Por më kritike situata paraqitet në Itali. Numri i viktimave i kaloi 1,400, ndërsa 21,157 persona janë në luftë me sëmundjen.

 

Në betejën më të ashpër me koronavirusin në një kohë që sëmundja ka ngulur kthetrat në Itali, Papa Francesku  bëri thirrje për t’u bërë bashkë në këto ditë të vështira, dhe njoftoi se të gjitha festimet për pashkët muajin e ardhshëm, do të jene krejtësisht te kufizuara. Ati i shenjë u lut këtë të diele për të gjithë të prekurit me koronavirus, dhe për të gjithë mjekët dhe infermierët që janë në vijën e parë të frontit me sëmundjen vdekjeprurëse.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *