Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve ka reaguar ashpër ndaj sulmit publik që kryeministri Edi Rama bëri ndaj gjyqtarit të Gjykatës Administrative Marko Boshku.
Në deklaratë, Shoqata shprehet e revoltuar duke e cilësuar rastin si “tërësisht të paprecedentë dhe të papranueshëm”, ndërkohë mbështet gjyqtarin për integritetin profesional.
Lexo edhe :
Related Posts
Jo vetëm kaq, por Shoqata paralajmëron kreun e qeverisë Edi Rama për përgjegjësinë penale në lidhje me akuzat ndaj gjyqësorit.
Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve: Çdo deklaratë denigruese në drejtim të gjyqtarëve përbën ndërhyrje në veprimtarinë e tyre dhe se, referuar nenit 145, pika 3, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, një veprim i tillë sjell përgjegjësi sipas ligjit. Kjo Shoqatë nuk do të ndalet vetëm në bërjen e deklaratave që dënojnë sjellje të tilla apo që shprehin solidaritet me gjyqtarët por, sipas rastit, do të ushtrojë çdo mjet tjetër ligjor. Postime dhe komente si ai që është bërë ndaj gjyqtarit Marko Boshku janë në kufijtë e veprës penale dhe, si të tilla, do të monitorohen nga kjo Shoqatë, duke vendosur dhe hapat që do të ndërmerren në çdo rast.
Sulmi, thotë Shoqata e Gjyqtarëve mund të ketë pasoja në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.
Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve: Kjo, pa mëdyshje, është jo vetëm një tentativë për uzurpimin të këtij pushteti por mund të ketë pasoja në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. Parimi i ndarjes së pushteteve është një nga tiparet që e dallon një shtet të së drejtës nga një shtet diktatorial dhe kjo ndarje pushtetesh fillon nga kultura e pranimit të ekzistencës së sferave të kompetencave që nuk të përkasin.
Në fund, Shoqata e Gjyqtarëve apelon Këshillin e Lartë Gjyqësor si dhe ndërkombëtarët që të reagojnë ndaj sulmeve të kryeministrit Edi Rama për togat e zeza.






