Policia Rrugore e Elbasanit, gjatë 24 orëve të fundit ka vijuar kontrollet me  dron në rrugën interurbane Elbasan – Tuneli i Krrabës – Elbasan, për të parandaluar shpejtësinë tej normave të lejuara, e cila është rrezik potencial për aksidente rrugore.

 

Gjatë kontrollit, në të dyja kahet e lëvizjes janë konstatuar shpejtësi tej normave të lejuara, që varionin nga 174 km/h deri në 224 km/h në kulmin e trafikut.

 

Si rezultat janë tërhequr 10 leje drejtimi për shpejtësi tej normës së lejuar.

 

Drejtuesi i mjetit tip Audi, shtetasi A.S., nga Tirana është konstatuar me shpejtësi 224 km/h, i cili u ndëshkua me masë administrative 15.000 lekë të rinj, 6 muaj pezullim të lejes së drejtimit dhe zbritje të pikëve nga leja e drejtimit.

 

Shtetasi E.H, rezident në Itali u konstatua me 174 km/h, i cili u ndëshkua me masë administrative 40.000 lekë të rinj.

 

Gjithashtu janë vendosur 29 masa administrative për shpejtësi dhe manovra në rrugë, si dhe janë vendosur 3 masa administrative maksimale me vlerë 40.000 lekë të rinj pasi drejtuesit e mjeteve ishin shtetas të huaj.

 

Kontrollet kanë vijuar edhe me dron në rrugën nacionale Elbasan – Librazhd, dhe Elbasan – Cërrik ku janë evidentuar e ndëshkuar për parakalim të gabuar 21 drejtues mjetesh me masë administrative 5.000 deri në 15.000 lekë të rinj.

 

Gjithashtu gjatë 24 orëve të fundit janë pezulluar 5 leje drejtimi për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit, si dhe janë vendosur 12 masa administrative me vlerë deri 15.000 lekë të rinj për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit, por pa sanksionin plotesues të pezullimit të lejes së drejtimit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *