E enjte, 8 Tetor 2026 Lajme Ora 12:00 dhe Moti deri në 12:20 Në vijim ora 12:20: Trashëgimtari Halef Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Politikë

Shkrirja e 15 bashkive, Taulant Balla i prerë: Sot votohet “Territorialja”, qytetarët na i dhanë dakordësinë më 11 maj

Në Kuvend vijon debati për reformën e re administrativo-territoriale. Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, tha se mazhoranca e konsideron reformën një angazhim të marrë përpara qytetarëve në zgjedhjet e 11 majit dhe kërkoi nga opozita që të bashkohet në diskutimin për kompetencat e bashkive.

Balla tha se votimi i hartës së re territoriale do të pasohet nga ngritja e një komisioni të posaçëm, ku sipas tij mazhoranca dhe opozita mund të diskutojnë për ndarjen e kompetencave. Ai akuzoi opozitën se është e fokusuar te kryetarët e bashkive, ndërsa PS, sipas tij, te ofrimi i shërbimeve për qytetarët.

Reklamë

Taulant Balla: Sa i përket ligjit për reformën administrative-territoriale 2.0, ne e kemi marrë dakordësinë e qytetarëve më 11 maj 2025. Kjo pikë ka qenë pika e parë e programit tonë Shqipëria 2030. Qytetarët shqiptarë na dhanë jo pak, por 83 mandate për ta çuar përpara këtë reformë. Ne do ta diskutojmë dhe do ta votojmë sot këtë pikë të rendit të ditës. Ftesa ime është që t’i përgjigjeni ofertës. Ditën e enjte të ngremë së bashku Komisionin e Posaçëm të Reformës Territoriale, jo për pjesën e ndarjes, por për pjesën e kompetencave.

Keni një javë kohë që të mendoni, që të votoni për pjesën e kompetencave. Kjo do të votohet. Deri të enjten tjetër mendohuni, bëni gati propozimet. Mirë është që ta merrni këtë javë. Reforma që votojmë sot është bërë përmes një pune të shkëlqyer, ku janë pyetur komunitetet dhe janë konsultuar bashkitë.

Reklamë

Ju interesoheni për kryetarin e bashkisë, ne interesohemi për qytetarin, banorin. Ne i garantojmë banorëve të 46 bashkive të reja shërbime më të mira. Ju keni hall karrigesh, ne kemi hall shërbimesh.

Propozimi i Partisë Socialiste parashikon shkrirjen e 15 bashkive dhe bashkimin e tyre me njësi më të mëdha fqinje.

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.