E enjte, 19 Nëntor 2026 Dielli i Dimrit deri në 15:00 Në vijim ora 15:00: Lajme Ora 15:00 dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Bota

Shkencëtarët kanë arritur të kultivojnë patate në Hënë dhe ato janë të sigurta për t’u ngrënë

Një studim i ri shkencor ka sjellë rezultate premtuese për të ardhmen e bujqësisë në Hënë. Studiuesit kanë zbuluar se patatet mund të rriten në tokë të simuluar hënore, nëse ajo pasurohet me lëndë organike, duke arritur rezultate të ngjashme me ato të kultivimit në Tokë.

Studimi, i publikuar në revistën shkencore “npj Microgravity”, u realizua nga studiues të Universitetit Shtetëror të Oregonit, me financim nga NASA.

Eksperimenti kishte në fokus mundësinë e kultivimit të bimëve në tokë hënore, shtresa e shkëmbinjve dhe pluhurit që mbulon sipërfaqen e Hënës dhe që përmban shumë pak lëndë organike.

Për këtë qëllim, studiuesit përdorën tokë të simuluar hënore, së cilës i shtuan pleh organik të pasur me lëndë ushqyese, i prodhuar përmes procesit të dekompozimit të materialeve organike nga krimbat e tokës.

Reklamë

Rezultatet treguan se patatet e kultivuara në tokë me 30% pleh u zhvilluan pothuajse njësoj si ato të mbjella në tokën tokësore. Ndërsa bimët e kultivuara pa shtimin e lëndës organike patën probleme serioze në rritje, me zhvillim të dobët të rrënjëve.

Një tjetër gjetje e rëndësishme lidhet me sigurinë ushqimore. Analizat treguan se patatet e rritura në tokën e simuluar hënore ruajtën vlerat ushqyese dhe nuk shfaqën rritje statistikisht të rëndësishme të glikoalkaloideve, substanca natyrore toksike që gjenden në patate.

Zbulimi konsiderohet një hap i rëndësishëm për planet e NASA-s për krijimin e një pranie të përhershme njerëzore në Hënë, në kuadër të programit Artemis. Në të ardhmen, astronautët mund të përdorin mbetje ushqimore dhe bimore për të prodhuar pleh organik dhe për të krijuar sisteme të qëndrueshme të prodhimit të ushqimit, duke reduktuar varësinë nga furnizimet që transportohen nga Toka.

Studiuesit po vijojnë eksperimentet me 10 varietete të ndryshme patatesh, me synimin për të identifikuar ato që përshtaten më mirë me kushtet e mundshme të kultivimit në Hënë. Megjithatë, rezultatet janë ende laboratorike dhe nuk dëshmojnë se patatet mund të kultivohen aktualisht në sipërfaqen reale hënore.

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.