Subscribe

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian janë të prerë kur thonë se mandati i Prokurorit të Përgjithshëm ka përfunduar dhe se Kuvendi duhet të zbatojë detyrimin kushtetues për zëvendësimin e tij.

 

Ambasadori amerikan Donald Lu në një mesazh postuar në facebook, shkruan se ligji themeltar flet qartë për këtë moment.

 

 “Kushtetuta dhe Ligji për Prokurorinë janë të qartë. Ambasada e SHBA mbështet opinionin ligjor që OPDAT dhe EURALIUS i kanë dhënë Parlamentit. Ne nxisim Parlamentin të zbatojë ligjin.”

 

Të njëjtin qëndrim të qartë mban edhe Delegacioni i BE-së në Tiranë, duke ftuar Kuvendin e Shqipërisë të respektojë ligjin.

 

 “Ligji për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë parashikon dispozita të qarta transitore, siç konfirmohet nga EURALIUS dhe OPDAT në opinionin e tyre në Kuvend. Ne e ftojmë Kuvendin të procedojë në respekt të plotë të ligjit.”

 

Në opinionin dërguar Kuvendit të Shqipërisë, OPDAT dhe EURALIUS, theksojnë se kreu i ri i akuzës mund të zgjidhet me 71 vota të deputetëve. Në gjykimin e dy misioneve që kanë asistuar Parlamentin në hartimin e reformës në drejtësi, pjesë e së cilës është edhe ligji për Prokurorinë, mandati i Llallës përfundon në fillim të dhjetorit.

 

Sipas tyre, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, i cili është përgjegjës për emërimin e Prokurorit të Përgjithshëm ende nuk është themeluar, prandaj zbatohet regjimi kalimtar për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm të përkohshëm.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *