Duket se thirrjet e ndërkombëtarëve për uljen e tensioneve në pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak, kanë shkuar në vesh të shurdhër. Fqinji verior vijon të kërcënojë Kosovën duke forcuar praninë ushtarake, ndërsa presidenti Alexandër Vuçiç ka dhënë urdhër gatishmërie për luftë.

 

Ministri i Mbrojtjes, Nebojsha Stefanoviç dhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Serbe, gjenerali Milan Mojsilovic, vizituan bazën ushtarake në afërsi të Jarinjës.

 

Ata deklaruan se Prishtina po shkel marrëveshjet ndërkombëtare, duke iu referuar veçanërisht asociacionit të komunave me shumicë serbe.

 

NEBOJSHA STEFANOVIC

MINISTER I MBROJTJES, SERBI

“Serbët duhet të jenë të qetë, ne po përpiqemi të gjejmë një zgjidhje dhe po veprojmë me përmbajtje, sepse e kuptojmë se një shkëndijë mund të çojë në një përshkallëzim të konfliktit për të cilin nuk ka nevojë askush. Nuk është e mundur të bisedohet me ata, që nuk respektojnë asnjë marrëveshje dhe shkaktojnë destabilizim.”

 

Ministri serb i Mbrojtjes dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm, u shoqëruan nga ambasadori rus në Beograd dhe i dërguari ushtarak i Federatës Ruse. Sipas tyre, asnjë provokim nuk po bëhet nga ana serbe, dhe sjellja e Beogradit është e përmbajtur.

 

Ndërkohë. Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka deklaruar se Njësitë Speciale të Policisë po qëndrojnë në gatishmëri.

 

XHELAL SVECLA

MINISTER I BRENDSHEM, KOSOVE

“Krimet e rënda nga drejtoria qendrorë e Policisë së Kosovës, të asistuar nga të gjitha njësitet tjera të nevojshme janë duke hetuar rastin dhe ne presim rezultate të shpejta nga këto hetime. Ne kemi dëshmi të presioneve të ndryshme nga strukturat paralele ilegale dhe nga institucione të ndryshme, instruksioni nga Serbia, që u bëjnë presion qytetarëve tanë serb që t’iu bashkohen këtyre protestave, por dëshmitë janë që këto apele e këto iniciativa janë duke dështuar.”

 

Në ditën e shtatë të protestës, avionët e ushtrisë serbe kanë fluturuar sërish mbi zonën e sigurisë në Jarinjë dhe Bërnjak.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *