PD ka vijuar këtë të mërkurë me sulmet në drejtim të kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako.
Në një deklaratë për mediat, nga selia blu, deputeti i PD, Ervin Salinaji deklaroi se Vangjush Dako i ka shpërblyer kriminelët me pasuri dhe pushtet në Durrës për blerjene votave për llogari të pushtetit ilegjitim të Edi Ramës.
“Nën drejtimin e bashkisë nga Vangjush Dako, Durrësi është ndarë në parcela të krimit me një qëllim të vetëm: blerjen dhe sigurimin e votave për pushtetin e Edi Ramës. Përgjimet në dosjen 339 faktojnë se Vangjush Dako pasi i ka shpërndarë kriminelët për të kërcënuar votuesit dhe për të blerë vota, i ka shpërblyer ata me pasuri dhe pushtet në Durrës. Vangjush Dako, njësoj si Edi Rama, është peng i krimit. I vetmi ndryshim mes tyre është se për Edi Ramën nuk kanë dalë akoma përgjimet me kriminelët, ndërsa për Vangjush Dakon, tani e kemi të provuar se i lutet kreut të bandës së Avdylajve për takim falenderues pas zgjedhjeve, ushtarët me të cilët Dako komunikon refuzojnë ta shqetësojnë bosin.”
Ai tha se krimi elektoral, blerja e votave nga bandat dhe shpërblimi me pasuri të tyre nga Vangjush Dako duhet të ndëshkohet. Salianji u shpreh se Vangjush Dako duhet të arrestohet pa vonesë.
“Krimi elektoral i lidh të gjithë këta bashkë. Krimi elektoral, blerja e votave nga bandat dhe shpërblimi me pasuri të tyre nga Vangjush Dako duhet të ndëshkohet! Vangjush Dako duhet të arrestohet pa vonesë! Në Shqipëri nuk ka për të patur proces normal politik derisa krimi elektoral që mban në pushtet qeverinë ilegjitime të Edi Ramës, të mos ndëshkohet!”





