Subscribe

Kryeministri Edi Rama ndodhet sot në Austri, i ftuar bashkë me Kancelarin e Austrisë, Karl Nehammer, në Forumin Europian Wachau për temën “Ruajtja e së ardhmes së Europës dhe zgjerimi i BE”.

 

Kryeministri Rama iu adresua seancës plenare me një fjalim të gjatë.

 

Gjatë fjalës së tij Rama theksoi se e ardhmja e Shqipërisë është vetëm në Europë, pavarsisht vonesave për çeljen e negociatave.

 

Kryeministri tha gjithashtu se nuk është Bullgaria problemi i moshapjes së negociatave por është deformimi i zgjerimit të Bashkimit Europian.

 

Fjala e plotë: 

“Ky më duket vendi i përsosur për të diskutuar Europën dhe Ballkanin Perëndimor. Në këtë lloj kryqëzimi, ku disa prej shkallëve shkojnë lart, disa zbresin për poshtë dhe ne jemi në mes. Po, ne mund ta ngremë njeri-tjetrin, por po kështu mund ta ulim njeri-tjetrin poshtë. Disa njerëz e kuptojnë vërtet mirë, të tjerë kanë nevojë për më shumë shtysë që ta kuptojnë sepse faktikisht sot BE-ja ka nevoje për Ballkanin, po aq sa Ballkani ka nevojë per BE-në.

Nga ana tjetër, më duhet të them që nuk është ide e mirë që të ftosh dikë nga Ballkani dhe ta lësh të ulet sepse mund të kërkojë vërtet shumë kohë që të dëgjosh fjalën e tij, ndaj urime të gjithë atyre që patën idenë që unë të qëndroj në këmbë në mënyrë që trupi im t’i ndalë vrullin gojës time.

Më lini po kështu t’ju them që nuk ka vend më të mirë se Austria për të marrë veten nga mbledhjet depresive të Brukselit.

Dua të falënderoj me gjithë zemër Karolinën që me dërgoi ftesën dhe drejtorin e këtij forumi të shkëlqyer që më ka mirëpritur kaq ngrohtë. Në të vërtetë nuk falënderoj dot sa duhet Kancelarin për mirëpritjen e tij të shkëlqyer. Ai është këtu me ne, është ulur krah meje, njësoj siç ulet krah meje në Këshill pasi Shqipëria dhe Austria nisin me shkronjën A, por është më tepër sesa rastësi.
Sepse kam krah meje udhëheqësin e një vendi që ngahera ka qenë mbështetës i Ballkanit Perëndimor dhe i Shqipërisë. Faleminderit Karl, Zoti të bekoftë!

Pra, pas këtyre fjalëve të bukura kam frikë se do të bëhem pak i hidhur sepse më duhet të flas për BE. Më duhet të them së pari e kryesisht, se ndihem i keqardhur për BE, ndihem vërtet i keqardhur.

Shumë njerëz i komentuan ato çfarë thashë në konferencën për shtyp dhe atë çka ne shprehëm pas daljes nga takimi si një zemëratë të madhe. Po, mund të jetë, por s’ka të bëjë me ne, ka të bëjë me BE.

Pasi qëndruam atje për 4 ore të tëra, me gjithë udhëheqësit e këtyre vendeve të mrekullueshme dhe i pamë, i dëgjuam dhe ndjemë pafuqinë e tyre përballë një situate surreale ku një vend i NATO-s Bullgaria merrte peng dy vende të tjera të NATO-s, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, në mes te një lufte, një lufte të nxehtë në kufij të Europës që rrekej të qëmtonte pasiguri historike mu përpara syve të 26 vendeve të tjera që nuk mund të bëjnë asgjë. Dje, parlamenti bullgar votoi për diçka që shpresoj do të jetë mjaftueshëm për miqtë tanë të Maqedonisë së Veriut, por dua të theksoj se kjo nuk lidhet vetëm me Bullgarinë. Bullgaria është shprehja finale e skajshme e frymës së deformuar të zgjerimit.

Ka diçka më të thellë që është humbur dhe që duhet rikuperuar shpejt.

Të gjithë dëgjojmë qe Vladimir Putin është shumë sëmurë, mund të jetë e vërtetë, mund të mos jetë e vërtetë, por nga ana tjetër nuk duket sikur BE është shumë e shëndetshme dhe se hapësira jonë është e mbrojtur mirë nga ajo çka mund të vijë.

Dëgjova një prej miqve francezë këtu, që përsëriste se Vladimir Putini, ka bërë të kundërtën e asaj çfarë kërkonte, duke përbashkuar Europën, duke sjellë bashkë NATO-n, të gjitha këto gjëra që i kemi dëgjuar qysh prej ditës së pare, por është shumë herët për t’u thënë mendoj, sepse nuk duket sikur dimri i ardhshëm do të jetë i lehtë dhe nuk duhet ta marrim këtë bashkim të mirëqenë dhe nuk duhet ta marrim të mirëqenë cakun e durimit të opinioneve publike në perëndim, përkundrejt cakut te durimit të opinionit publik që as nuk ekziston në Rusi.

Po flisnim dje me drejtorin. Problemi është se sa më shumë njerëzit kanë, aq më pak janë të prirur që të heqin dorë, qoftë edhe nga diçka e vogël.

Kjo pjesë e botës është shumë e pasur e t’u thuash të pasurve, komuniteteve të pasura që na duhet të durojmë inflacionin e lartë, çmimet e larta sepse një gjë shumë më e rëndësishme është në lojë, është më e lehtë ta thuash se ta bësh, sinqerisht.

Por ç’ mund të them nga ana tjetër?

Në cepin tonë të botës dhe meqë ra fjala, ajo anë e jona e botës është e rrethuar nga kufijtë e BE-së, pra gjejeni, BE është realiteti i vetëm gjeografik në historinë e hartave qe ka dy kufij, një të brendshëm e një të jashtëm dhe në mes është kjo copëz bote që quhet Ballkan për të cilin besoj se Austria është mes të paktëve që ka një ide shumë të qartë e që ka një vizion krejt të sigurtë, që pavarësisht çështjeve të brendshme, Austria kurrë, kurrë nuk e ka tradhtuar. Nuk vlen e njëjta gjë për të tjerët.

Kështu që, ajo çfarë ndodhi me Bullgarinë ishte simboli sesi zgjerimi është transformuar në një mjet për të marrë peng shtetet e tjera për hir të problemeve te brendshme.

Jemi shumë të lumtur që Ukraina mori statusin e vendit kandidat, por shpresoj që ukrainasit të mos kenë shumë iluzione për atë çka morën, morën një ilaç kundër depresionit që është mirë për moralin e për hormonet për një farë kohe.

Por me tej ju duhet të përballen me realitetin me të cilin përballet Mqedonia e Veriut. E sheh? Flet për Ballkanin Perëndimor dhe bëhet zhurmë.

Edhe kjo ndërtesë e vjetër e di, pra po thoja që të marrin në konsideratë dhe të hedhin sytë nga Maqedonia e Veriut, 17 vjet kandidate dhe është mënyra më e çuditshme për të qenë vend kandidat sepse je kandidat për t’u martuar kur flet, nuk mund të jesh kandidat për t’u martuar me dikë që të thjotë nuk jam gati të flas me ty. Pra, ky status kandidat është shpikur për këtë gjë, të bëjë që të ndihesh që “je kandidat” për një gjë, por të lerë aty në pritje për të folur.

17 vjet, ata ndryshuan edhe emrin. Imagjinoje Austrinë të ndryshojë emrin për të qenë në BE.

Shqipëria numëron 8 vjet, nuk është mjaftueshëm. Shpresoj për Ukrainën të mos jetë 117 vjet, por sigurisht është një rrugëtim ku duhet të japësh rezultate, ku duhet të reformohesh dhe edhe pse ukrainasit po bëjnë diçka që shkon përtej reformimit të vendit tyre, po bëjnë diçka të jashtëzakonshme, po ndalin dikë që kërkon të kundër reformojë rendin botëror, kjo është arsyeja pse e meritonin dhe kjo është arsyeja pse është një mrekulli që BE e bëri.

Në përpjekje për ta përmbyllur sepse është gjithnjë me rrezik të kesh një program austriak preciz dhe të kesh dikë nga Ballkani që flet. Për mbyllje do të doja të thoja se për këdo që ka lexuar Samuel Beckett “Në pritje të Godosë”, mendoj që është e lehtë që ta kuptojnë se përse jeta imiton teatrin dhe Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria janë imitimi në realitet i Vladimirit dhe Estragonit në pritje të Godosë.

Ka një rresht aty që tregon diçka për ne dhe BE, natyrisht në gojën e Samuel Beckett.

Vladimiri i thotë Estragonit “Do të lëvizim” dhe Estragoni i përgjigjet “Po, le të lëvizim” dhe pastaj Samuel Beckett, i cili është dramaturgu, pra BE, në këtë rast, i thotë “Askush të mos lëvizë”. Pra, zgjedhja jonë nuk është shumë e ndërlikuar, mund të presim Godonë pa lëvizur apo mund të lëvizim vetë për të ringjallur shpirtin e Europës në rajonin tonë, për ta bërë të mundur në rajonin tonë që paqja të mos jetë më e kthyeshme në diçka të tmerrshme, dhe jemi shumë të mirë ne për të bërë gjëra të tmerrshme nga gjëra që duken të lehta për t’u zgjidhur, që bashkëpunimi të jetë normal dhe që katër liritë e Europës, lëvizja e njerëzve, mallrave, kapitalit, shërbimeve të jetë mënyrë se si ne jetojmë me njëri-tjetrin.

Ndoshta, ju keni dëgjuar që ky quhet Procesi i Berlinit dhe ne duam ta zbatojmë dhe për këtë kemi ndërtuar mjetin që e quajmë Ballkani i hapur.

Ballkani i hapur është pikërisht ky mjet për të zbatuar Procesin e Berlinit dhe kjo është ajo çfarë do të bëjmë.

Në fund, dua të përmend Kancelarin në një moment që ne po flisnim se si çështjet historike kur merren nga politikia për t’u zgjidhur bëhen më të pazgjidhshme se ç’janë në të vërtetë dhe më tha se nëse Austria do të kishte marrë këtë rrugë në përpjekje për të hapur çështje të vjetra historike dhe të përpiqej t’i trajtonte politikisht, kjo hapësirë këtu do të kishte qenë shumë herë më keq se sa Ballkani Perëndimor, edhe pse mendoj se është e pamundur, por prapë pasi në Ballkan ne kemi një cilësi që nuk e gjeni në asnjë vend tjetër të botës, ne prodhojmë shumë më tepër histori se sa ç’mund të tresim dhe vazhdon e vazhdon pa fund.

Ne kemi këtë histori të jashtëzakonshme të të qënit kaq të ndërthurur saqë sa më shumë përpiqemi të shkëputemi, aq më shumë ngërthehemi mes njëri-tjetrit, aq më shumë shkojmë teposhtë. Për ta mbylllur me një atmosferë më të gëzueshme. Është për të qeshur që kur gjendem me këta njerëz në Ballkanin Perëndimor në raste të ndryshme, ata e njohin gjuhën që flasin me njëri-tjetrin që unë nuk e njoh, madje edhe shqiptarët, e njohin këtë gjuhë, shqiptarët nga Kosova, Maqedonia e Veriut apo nga Mali i Zi dhe kanë këtë gjuhë që flasin të gjithë së bashku dhe unë jam i vetmi që nuk e kuptoj. Më pas ju them, a mund të mos flisni më këtë gjuhë të çuditshme dhe të vazhdojmë në anglisht?

Dhe pastaj më duhet të dëgjoj të thonë, se shqipja është edhe më e çuditshme. Po, ndoshta.

Por duke qenë një gjuhë më vete, të paktën s’kemi dikë tjetër të vijë e të na thotë është gjuha ime e të fillojë pastaj një debat se kush është kush, kështu që ata e kanë këtë problem, flasin të njëjtën gjuhë ndonjëherë dhe ju duhet të zihen me njëri-tjetrin nëse gjuha është e njërit apo e tjetrit.

Dhe kjo nuk resht kurrë.

Në Ballkan, ne kemi gjithnjë në mëndje se jemi më të vjetrit, ne shqiptarët mendojme se jemi më të vjetrit, ata që erdhën pas majmunëve në evolucionin e Darvinit, por po të pyesësh serbët, ata nuk të lënë hapësirë, lëre më grekët, të cilët edhe mund të pretendojnë se edhe vetë majmunët erdhën pas grekëve. Le të shkojmë te turqit. Ata mund edhe të nisin një zënkë të madhe edhe për kafen, nëse është kafe turke apo kafe greke. Një kafe mjaft e fortë që më mirë mos ta provoni, kështu që është e ndërlikuar.

Maqedonët apo maqedonëveriorët me bullgarët e njëjta gjë, kështu që kini durim me ne, të dashur miq, dhe mos harroni që pavarësisht të gjithë problemeve tona që më duhet t’i theksoj sepse kjo nuk nënkupton që jemi viktimë e ndonjë padrejtësie, nuk është kaq e thjeshtë, është më komplikuar se kaq . Jemi të gjithë viktima të historisë sonë e herë-herë viktima të vetvetes, por jemi njerëz të mirë, jemi njerëz besnikë dhe jemi të çmendur. Kështu që më mirë të na keni me ju dhe kur na keni me vete, merni më të mirën nga ne, mënyrën tonë të të qënit mirë, të të qënit besnik edhe mund ta përdorni, çmendurinë tonë për t’u marrë me të tjerët.

Faleminderit shumë!

Leave a Reply

Your email address will not be published.