Për shkak të rritjes së numrit të të prekurve me koronavirus, qeveria e Kosovës ka marrë disa masa të reja për parandalimin e përhapjes së COVID.

Një nga vendimet është mbajtja me detyrim e maskave nga ana e qytetarëve jashtë banesës së tyre. Nga ana tjetër, personat e moshuar do të kenë orar të caktuar se kur mund të lëvizin.

Autoritetet gjithashtu kanë vendosur që qytetarët që hyjnë në Kosovë nga Maqedonia e Veriut, Bosnje e Hercegovina dhe Mali i Zi duhet të tregojnë një test negativ për koronavirus, jo më të vjetër se 72 orë.

“Vendimi i parë i miratuar në mbledhjen e sotme për ndërmarrjen e masave, me qëllim të parandalimit të përhapjes dhe kontrollit të infeksionit COVID-19 është për obligimin e të gjithë banorëve të Republikës së Kosovës që të bartin maskat për fytyrë në të gjitha aktivitetet jashtë shtëpive/banesave të tyre, si dhe të mbajnë distancë fizike prej 2m në ambiente të përbashkëta jashtë shtëpive/banesave të tyre. Vendimi obligon gjithashtu që të gjitha institucionet publike dhe private të mbajnë dezinfektues për duar dhe maska për fytyrë në vende të qasshme, në hyrje të objektit, të cilat mund të shfrytëzohen nga punëtorët e institucioneve dhe vizitorët”, thuhet në vendimin e qeverisë.

Në mbledhjen e mbajtur nga qeveria e Kosovës u caktua që orari i kufizimit të lëvizjes për qytetarët në Komunën e Mitrovicës së Jugut, Gjilanit, Fushë Kosovës dhe Shtërpcës do të hyjë në fuqi më 13 korrik, duke filluarnga ora 21:00 deri në orën 05:00.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *