Temperaturat e larta nuk janë i vetmi shqetësim gjatë stinës së verës. Mjekët paralajmërojnë se gjatë muajve të nxehtë shtohen rastet e personave që kërkojnë ndihmë mjekësore si pasojë e pickimeve nga insektet dhe zvarranikët.
Më të ekspozuar ndaj këtij rreziku janë fermerët, punonjësit që ushtrojnë aktivitetin në terren, por edhe pushuesit që frekuentojnë zonat malore dhe bregdetare.
Specialistët këshillojnë marrjen e masave parandaluese, duke përdorur produkte mbrojtëse kundër insekteve dhe duke treguar kujdes gjatë qëndrimit në natyrë.
Pranë shërbimit të urgjencës janë paraqitur edhe këtë sezon raste pacientësh të pickuar nga gjarpërinj, bletë, merimanga dhe insekte të tjera.
“Çdo person i pickuar nga gjarpri, apo që shfaq shenja të forta alergjie pas pickimit nga insektet, duhet të drejtohet menjëherë pranë qendrës më të afërt shëndetësore për të marrë ndihmën e nevojshme”, thotë Isida Bashmili, mjeke.
Ndërkohë, specialistët u bëjnë apel fermerëve dhe të gjithë personave që punojnë në ambiente të hapura të përdorin veshje mbrojtëse, këpucë të përshtatshme dhe mjete kundër insekteve, për të minimizuar rrezikun e pickimeve gjatë ditëve të nxehta të verës.





