Zbardhet dëshmia e dy vajzave 16-vjeçare nga Tirana, të cilat u gjetën dje në Përmet.

 

“Familjet tona grinden shpesh, disa herë na bërtisnin edhe neve”, mësohet të kenë thënë ata para grupit hetimor.

 

Adoleshentet kanë rrëfyer se zënkat në familje nuk munguan as në natën e ndërrimit të viteve. Ato kanë treguar edhe sesi u larguan nga shtëpia.

 

“U zunë edhe natën e Vitit të Ri. Nga shtëpia kemi ikur me dëshirë. Donim t’u jepnim një mësim familjeve. Me vete kishim 400 mijë lekë të vjetra, janë kursime që i kemi mbledhur ne vetë. Deri në Përmet shkuam me makina dhe furgona të rastit. E njohim mirë atë zonë sepse është vendlindja e gjyshërve, kemi shkuar disa herë më parë për pushime. Kemi fjetur në disa hotele, na mbaruan lekët dhe kishim vendosur të ktheheshim dhe t’i tregonim policisë.”

 

Ndërkohë, në polici kanë mbërritur disa telefonata për vendndodhjen e vajzave. Njëra prej tyre ka qenë e pronarit të hotelit në Përmet. Ai ka thënë se në biznesin e tij kanë shkuar dy vajza që nuk ishin të shoqëruara nga familjarët. Dy vajzat u morën në pyetje në praninë e një psikologut. Pasi janë takuar me familjarët në Tiranë, policia i dërgoi në një qendër sociale.

 

Vajzat nuk kanë kërkuar të shkojnë në shtëpi për shkak të frikës se mund të dhunohen nga prindërit. Ato do të qëndrojnë në qendër sociale deri në qetësimin e situatës. Ndërkohë, ka rënë poshtë çdo dyshim se vajzat mund të ishin marrë për qëllime trafikimi. Një 46-vjeçar që është parë në shoqërinë e vajzave ka qenë thjesht shoferi i njërit prej furgonëve me të cilët kanë udhëtuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *