“Shqiponjat” në luftë me krimin, forcat e policisë përballen me vështirësi gjatë orëve të natës
“Janë orët e vona të natës, por për forcat Shqiponja puna sapo ka nisur. Në këtë aksion kontrollet do të shtrihen në rrugët më kryesore të Tiranës për personat apo automjetet e dyshimta. Synimi është i qartë. Kapja e lëndëve narkotike, armëve të zjarrit apo personat e shpallur në kërkim për llogari të drejtësisë.“
E gjitha puna fillimisht nis me instruktazhin, ku efektivët marrin detyrën dhe porositë e komandantëve të turneve. Pasi jepen instruksionet e punës së përditshme, efektivët menjëherë shpërndahen në zonat e tyre për monitorimin e situatës, por nuk janë të pakta rastet që për ngjarjet e fundit nisen menjëherë në vendin e ngjarjes për parandalimin e tyre.
Në lëvizje të vazhdueshme në rrugët e Tiranës, efektivët e forcave Shqiponja nisin kontrollet për identifikimin e personave të dyshimtë. Automjetet ndalohen, dokumentet verifikohen dhe çdo informacion që ngjall dyshime bëhet objekt kontrolli nga punonjësit e policisë. Por si organizohen këto shërbime dhe cilat janë objektivat kryesore të tyre?
“Shërbimet shqiponja ndahen në pesë sektorë që janë shqiponja një deri te shqiponja pesë. Kemi dhe forcat motoriste që janë shigjetat që ndahen dhe ato po në pesë sektor që janë shigjeta një deri te shigjeta pesë. Këto shërbime kanë fokus kryesor personat me precedent kriminal, personat që kryejnë vepra të rënda kriminale, ngjarjet e rënda që këta persona mund të kenë bërë dhe mund të jenë persona në kërkim”, thotë komandanti i forcave “Shqiponja”, Viktor Todhe.
Kontrollet nuk përqendrohen vetëm tek automjetet. Në fokus janë edhe personat që lëvizin në këmbë, ata që dyshohet se mbajnë armë me vete, personat e shpallur në kërkim apo ata që duhet të respektojnë masa të caktuara sigurie. Një vëmendje e veçantë i kushtohet edhe parandalimit të shitjes apo shpërndarjes të lëndëve narkotike.
“Punonjësit e policisë ndalojnë mjete dhe verifikojnë personat që ndodhin në këto mjete dhe persona që ata kanë dyshime që i konstatojnë në rrugë. Fokus kryesor i tyre janë persona që lëvizin me armë, persona që janë në kërkim, personat arrest shtëpie, persona që kanë lëndë narkotike me vete”, thotë Todhe.
Gjatë patrullimeve, efektivët përballen edhe me shkelje të tjera, që nga mbajtja e armëve të ftohta deri te drejtimi i automjeteve në gjendje të dehur apo pa leje drejtimi. Në këto raste, ndërhyrja e policisë pasohet nga shoqërimi i personave në ambientet e komisariatit përkatës, ku kryhen verifikimet dhe veprimet e mëtejshme procedurale.
“Kohët e fundit nga patrullat Shqiponja janë konstatuar pothuajse shumë raste të këtyre persona që lëvizin me armë të ftohta dhe me shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor si pija alkoolike ose diçka tjetër ose pa leje drejtimi. Këto persona ndalohen dhe shoqërojnë ambientin e komisariatit më të afërt”, shprehet Todhe.
Përtej kontrolleve rutinë, efektivët e këtyre forcave angazhohen edhe në situata me rrezik të lartë, kur informacionet e siguruara i çojnë drejt personave që dyshohet se disponojnë armë zjarri apo mund të përfshihen në ngjarje të rënda kriminale. Një nga rastet e fundit, sipas komandantit të forcave Shqiponja, lidhet me një person që kishte dalë në lagje duke ekspozuar një armë zjarri të tipit kallashnikov.
“Situata të rrezikshme kemi pasur pafund. Janë situatat si rasti i fundit që kishim një person kishte ekspozuar një armë zjarri AK47 dhe kishte dalë në lagje me të në dorë. Nga patru tona është bërë verifikimi i i informacionit është shkuar, është konstatuar personi ku gjatë kontrollit që është ushtruar këtij personi janë gjetur armë dhe pajisje të tjera që shërbejnë për ngjarje të rënda kriminale”, thotë Todhe.
Me patrullime të vazhdueshme, kontrolle të befasishme dhe verifikime në terren, forcat Shqiponja synojnë të identifikojnë në kohë personat e dyshimtë dhe të parandalojnë ngjarje kriminale. Një angazhim që nuk njeh orar, ndërsa përballja me armët, lëndët narkotike dhe personat në kërkim mbetet një nga prioritetet e shërbimeve të policisë në kryeqytet.




