Plagosja e Erion Vishkullit në protestë, 28-vjeçari thirret sot në Prokurori, çfarë pritet të dëshmojë
Erion Vishkulli, 28-vjeçari që mbeti i plagosur në syrin e majtë gjatë protestës së 24 tetorit në Tiranë, pritet të paraqitet sot në orën 11:00 në Prokurorinë e Tiranës, në kuadër të hetimeve për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Detajet u bënë të ditura nga gazetari Esido Barkaj, gjatë një raportimi të drejtpërdrejtë në emisionin “7pa 5” në Vizion Plus.
Sipas Barkajt, Vishkulli pritet të merret në pyetje nga grupi hetimor për të sqaruar vendndodhjen e tij në momentin e plagosjes, çfarë kishte vënë re në zonë dhe nëse ka arritur të identifikojë efektivin e policisë që dyshohet se ka qëlluar me plumba gome në drejtim të protestuesve.
28-vjeçari pritet të dorëzojë gjithashtu pranë Prokurorisë dokumentacionin dhe raportet mjekësore lidhur me dëmtimin e pësuar dhe ndërhyrjen kirurgjikale që kreu në Itali.
Një nga pikëpyetjet kryesore që mbetet për t’u sqaruar është natyra e objektit që ka dëmtuar syrin e të riut. Ende nuk dihet nëse bëhet fjalë për një plumb gome apo një sferë metalike, e cila kishte mbetur brenda syrit të tij.
Ndërkohë, identifikimi i efektivit të policisë që mund të ketë shkaktuar plagosjen paraqitet i vështirë për grupin hetimor, për shkak të kaosit dhe përplasjeve mes protestuesve dhe forcave të policisë gjatë tubimit të 24 tetorit.
Dëshmia e Erion Vishkullit dhe dokumentacioni mjekësor pritet të jenë elementë të rëndësishëm për hetimin, që synon të sqarojë rrethanat e plagosjes dhe përgjegjësitë për ngjarjen.




