Dyshohet se shiste drogë afër shkollave, arrestohet 15-vjeçari në Shkodër

Një 15-vjeçar është arrestuar nga Policia e Shkodrës, pasi u kap me dhjetëra doza të dyshuara kanabisi në afërsi të një shkolle, në lagjen “Vasil Shanto”.
Arrestimi u bë në kuadër të operacionit të koduar “Shkolla të Pastra”, të zhvilluar nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër.
Sipas njoftimit të Policisë, i mituri, banues në Shkodër, u ndalua gjatë operacionit, ndërsa gjatë kontrollit fizik dhe në banesën e tij u gjetën dhe u sekuestruan dhjetëra doza të lëndës së dyshuar narkotike Cannabis Sativa.
Nga hetimet paraprake dyshohet se lënda narkotike mbahej nga 15-vjeçari me qëllim shitjen.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për vijimin e veprimeve të mëtejshme.




