Referendumi i kësaj të diele në Serbi për ndryshimet kushtetuese ka nxitur një debat të fortë në Kosovë, sa i takon procedurës që do të ndjekin qytetarët  me shtetësi serbe në komunat veriore.

Kryeministri Albin Kurti e ka bërë të qartë se votimi do të kryhet përmes postës apo Zyrës Ndërlidhëse serbe në Prishtinë duek argumentuar se votimi në referendumin e një shteti tjetër, në një territor sovran, nuk është praktikë e pranueshme nga asnjë shtet demokratik.

Por, Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell në reagimin e kësaj të enjteje këmbëngul se edhe në të kaluarën, Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, ka lehtësuar grumbullimin e votave të qytetarëve serbë që jetojnë në Kosovë.

 

 

JOSEPH BORRELL

 

SHEF I POLITIKES SE JASHTME, BE

 

“Kam biseduar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç lidhur me grumbullimin e votave në Kosovë për referendumin kushtetues që mbahet të dielën në Serbi. Grumbullimi i votave në të kaluarën është bërë me lehtësimin e OSBE-së. Qytetarët duhet të jenë në gjendje që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votimit”.

 

Referendumi i fundit në Serbi për konfirmimin e Kushtetutës së re është mbajtur në vitin 2006, ai ka zgjatur dy ditë dhe kanë votuar pothuajse 55 për qind e numrit të përgjithshëm të votuesve. Preambula ku thuehet se “Krahina e Kosovës dhe Metohisë është pjesë përbërëse e territorit të Serbisë”, nuk do të jetë temë e referendumit që do të mbahet më 16 janar.

Ndryshimet kanë të bëjnë me sistemin gjyqësor, bazuar në kërkesat e Bashkimit Evropian për anëtarësimin e Serbisë në union. Nëse miratohen, do të jetë një hap para për përjashtimin e politikës nga zgjedhja e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *