Tri raste të reja me COVID-19 janë konfirmuar në Korçë këtë të premte nga burime zyrtare pranë Ministrisë së Shëndetësisë, raste të cilat kanë rezultuar pozitive nga 10 tamponë në total të derguar një ditë më parë. Të prekurit nga covid-19 mësohet të jenë banues në fshatra të Korçës, por nuk bëhet e ditur se cilat janë ato. Burime siguruara bëjnë me dije se të tri rastet origjinën e kanë nga Qendra Spitalore Universitare Nënë Tereza, ku personat kanë shkuar për të marrë shërbim shëndetësor. Dy nga këto raste janë brenda të njëjtës familje, ndërsa rasti tjetër është i ri, pa lidhje me personat e mëparshëm të infektuar me Covid-19. Bilanci i të prekurve nga koronavirus në Korçë deri më tani pas rikthimit të viusit ka shkuar në 9 persona të prekur, ndërsa burimet thonë se të gjitha këto raste kanë lidhje me rastet e para të të infektuarve në QSUT. Që prej fillimit të pandemisë e deri më tani vetëm në Korçë janë evidentuar në total 28 raste të prekurish me covid-19, nga të cilët 19 janë të shëruar dhe 9 rastet e dala gjatë ditëve të fundit janë aktive, por sipas burimeve në gjendje të qëndrueshme shëndetësore në kushte shtëpie, nën kujdesin e mjekëve të familjes. Mjekët epidemiologë të Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor në Korçë janë duke gjyrmuar rastet dhe kontaktet e tyre, me qëllim shkëputjen e zinxhirit të transmetimit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *