Subscribe

Opozita e akuzon kryeministrin Edi Rama se po shkel Kushtetutën me propozimet e fundit për ndryshimin e rregullores së parlamentit. Nënkryetari i demokratëve të drejtuar nga Sali Berisha, Oerd Bylykbashi, në një intervistë për Vizion Plus vë në dukje se dy propozimet e fundit ligjore të mazhorancës për rregulloren dhe komisionet hetimore synojnë jo thjesht t’i mohojnë të drejtat opozitës, por edhe të ndëshkojnë ligjvënësit e Partisë Demokratike.

“Ne tashmë e dimë që ata kanë arritur të përjashtojnë deri në 23 deputetë në një seancë të vetme, mund të bëjnë këtë me dy seance dhe të mos ketë më deputetë të opozitës. Dhe praktikisht jemi përpara një antikushtetutshmërie, sepse po cenohet parimi kushtetues i përfaqësimit nëpërmjet votës. Vendos një komision etike për të zhbërë për dy muaj përgjatë një viti të gjithë opozitën. Dhe të mos kemi më jo vetëm debat po as komisione hetimore”, tha Bylykbashi.

Edhe pse ndryshimi i rregullores kërkon 71 vota për tu miratuar, Oerd Bylykbashi sjell në vëmendje se 10 vite më parë Shqipëria nuk mori statutin e vendit kandidat se kërkohej miratimi me konsensus i 3 ligjeve, një prej të cilave ishte pikërisht rregullorja.

“Diku komisioneri Fyle nëse ju kujtohet kur ishte Rama në opozitë thoshte edhe presja më e vogël Sali Berisha dhe mazhoranca e tij duhej ta miratonte me konsensus edhe pse i kishte votat.”, shtoi Bylykbashi. 

Sipas nënkryetarit të demokratëve propozimi për ligjin e komisioneve hetimore përcjell të njëjtën frymë, si t’i mohohen të drejtat kushtetuese opozitës në një kohë që janë 8 vendime të Gjykatës Kushtetuese që detyrojnë shumicën të ngrejë komisionin hetimor kur atë e kërkojnë 35 deputetë.

“Unë do ta krahasoja më rregulloren e një kampi përqendrimi. Nuk jep asnjë lloj hapësire që një komision hetimor nëse ngrihet të ketë mundësinë e suksesit. Duhet të miratohen ekspertët me 2/3 e votave që do të thotë nuk do të miratohen kurrë ekspertë nga opozita. Të gjitha provat duhet të merren nga ekspertët këta që zgjedh mazhoranca, dhe nëse nuk i marrin ata dhe deputetët duan të sjellin dokumente të tjera votohet dhe rrëzohet me vendim marrja e provave dhe në fund komisioni mbetet një lëvozhgë bosh ku do të thuhet nuk kishte prova.”, deklaroi Bylykbashi

Këto ligjore nisma të mazhorancës socialiste sipas Bylykbashit kanë vetëm një qëllim, kërcënimin e opozitës.

Ky është leximi i një propozimi të Ramës që të kërcënojë opozitën të tërhiqet por kjo nuk do të ndodhë.”, tha ai.

Prej dy muajsh opozita po proteston në parlament, duke kërkuar së pari ngritjen e komisioneve hetimore dhe së dyti, që të zgjedhë vetë përfaqësuesin e saj në komisionin e reformës elektorale dhe jo Partia Socialiste të vendosë se kush përfaqëson PD në reformën më të rëndësishme për partitë politike./vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *