Subscribe

Në 30 vjetorin e krijimit të Gjykatës Kushtetuese, kryeministri Edi Rama fjalën e tij e nisi me një kritikë për ambasadorët.

 

Pa përmendur emra por kur përballë kishte ambasadoren amerikane në Tiranë, Yuri Kim, kreu i qeverisë tha se është e pakëshillueshme që diplomatët e lartë të mbajnë qëndrime pë vendime të gjyqësorit.

 

EDI RAMA

KRYEMINISTER I SHQIPERISE

 

E vlerësoj këtë ftesë ndaj edhe erdha, duke ju kërkuar ndjesë që nuk do të mund të qëndroj më gjatë se fjala, për një arsye që kryetarja e di, dhe ju falënderoj për ftesën, me një nuancë të vogël: duke më kërkuar fjalë përshëndetëse, më keni vënë përballë një dileme jo të thjeshtë dhe një sfide disi të veçantë. Ndonëse sebepi është festiv, ushtrimi është delikat dhe skena jo e zakontë: Kreu i pushtetit ekzekutiv, përpara një plateje juristësh e gjykatësish, pra pushtetit gjyqësor, pa harruar edhe veshët e  sytë e diplomatëve të huaj, të cilët kur vjen fjala tek drejtësia duket se nuk ndjehen të huaj në territoret e saj – madje kanë edhe një luks e veçantë, që kur të duan mund ta ndajnë me publikun gëzimin ose hidhërimin për vendimet e gjykatave, çka për mua e për ne, autoritetet e këtij shteti, nuk është hiç e këshillueshme, lëre më pastaj e imitueshme.

 

 

Kushtetueses i njohu si shkëlqim vendimin e 2010-ës, rrëzimin e marrëveshjes për përcaktimin e kufijve detar mes Shqipërisë dhe Greqisë. Si vendimarrje të njollosur cilësoi mosshkarkimin e presidentit Ilir Meta.

 

EDI RAMA

KRYEMINISTER I SHQIPERISE

 

Ndaj edhe sot, përgjatë qenies së saj 30 vjeçare,  Gjykata Kushtetuese është një ngrehinë me dritë dhe hije, me vula vendimesh të diskutueshme, po njëkohësisht edhe me shkëlqime deri edhe të lavdishme, ashtu si ndonjëherë rast me njolla të pajustikueshme. Po kush mund të harrojë vendimin për të ashtuquajturën marrëveshje të detit, nënshkruar nga pushteti ekzekutiv në shpërfillje të sovranitetit, kombëtar e popullor njëherësh?Një vendim epik në historinë e saj ende krejt të re, 30 vjet sot të gjithë ditën, për historinë e një Gjykate Kushtetuese në kontinentin ku jetojmë, 30 vjet janë një fragment i shkurtër kohe, një kohë që sidoqoftë, Gjykatën Kushtetuese e ka përvijuar si zbutëse të efekteve më negative të tranzicionit, por edhe si një faktor të zgjatjes së tranzicionit.

 

 

Gjykatës sot Kushtetuese i kërkoi të gjejë ekuilibrin politik dhe social, për atë që e quajti një ngjarje unike, goditja e vendimeve të qeverisë, si ai për ndërimet pa leje e dërguar nga ajo pjesë e Partisë Demokratike drejtuar nga Enkelejd Alibeaj.

 

EDI RAMA

KRYEMINISTER I SHQIPERISE

 

Nuk mundem ta shmang dot, me gjithë përpjekjen, një eveniment të ri të ditëve të fundit, unik në tërësinë e veprimtarisë publike dhe politike të këtij vendi në këto 30 vite që nuk është absolutisht e varfër me shfaqje unikale devijimesh, goditja në Gjykatë Kushtetuese nga parti politike e një vendimi qeverie, e një vendimi qeverie në zbatim të një ligji të kaluar në  Kuvendin e Shqipërisë për të ndëshkuar abuzimet me lejet e ndërtimit nga ndërtues që, në pambajtësinë e tyre, e kanë bërë të pamundur mos ndëshkimin përfundimtar.Që një vendim qeverie të çohet në Gjykatë Kushtetuese, është një akt që të lë pa fjalë, por që një vullnet politik të ngrihet kundër një vendimi qeverie për të marrë në mbrojtje shkelje haptazi të ligjit të një natyre krejt të veçantë, të mishëruara në metra katrorë të prekshëm dhe të matshëm, ky është një kulminacion i ri që e ilustron edhe më së miri sesa kulminacione të mëparshme, ato që po përpiqesha të thosha.Pikëpyetja legjitime që ngrihet është se si mund të vetëdijesohemi reciprokisht, se jo çdo konflikt i natyrës politike dhe i natyrës sociale, duhet të zgjidhet nga Gjykata Kushtetuese apo nga ana tjetër, si mundet të evitojmë që duke iu adresuar Gjykatës Kushtetuese për shumë gjëra të cilat në vendet normale zgjidhen në rrugë të tjera, të mos kontribuojmë dhe të mos e vëmë Gjykatën Kushtetuese në pozitë të kontribuojë për të tej zgjatur mahisjen e konflikteve.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *