Qeveria tërhiqet nga rritja e çmimit të energjisë me 42 lekë mbi fashën 800 kilovat orë në muaj.
Një ditë para hyrjes në fuqi të vendimit të marrë në javën e parë të shtatorit, kryeministri Edi Rama bëri me dije se konsumatori familjar do të vazhdojë ta paguajë energjinë elektrike me të njëjtin çmim, pra me 9.5 lekë për kilovat orë edhe nëse në një muaj shpenzon më shumë se 800 kilovat orë.
Rreshjet, rënia e tempertaurave të nxehta dhe kursimi ishin arsyet që e bindën qeverinë për t’u tërhequr nga rritja e çmimit të energjisë elektrike.
EDI RAMA
KRYEMINISTER I SHQIPERISE
Në 1 shtator kur ne vendosëm fashën me çmim të mbrojtur deri 800kw, kërkesa për energji nga KESH ishte rreth 17, 000 Kwh, sot është rreth 11, 000 Kwh. Pa diskutim në këtë ulje të ndjeshme ka luajtur rol rënia e temperaturave të nxehta, por s’ka dyshim se rol të rëndësishëm ka edhe fillimi i dukshëm i një qasje pozitive të abonentëve familjarë për ta kursyer energjinë. Prandaj në këto kushte ne vendosëm që aplikimi i fashës 800 Kw të mos hyjë në fuqi në muajin tetor.
Me dimrin në pritje dhe ku kërkesa për energji elektrike do të jetë me e lartë për shkak të temperaturave të ftohta, Edi Rama garanton se nuk do të ketë mungesë të saj.
EDI RAMA
KRYEMINISTER I SHQIPERISE
Unë dhe kjo qeveri, jemi këtu, jo vetëm për të garantuar mbrojtjen e çmimit të energjisë së konsumatorëve familjarë e të bizneseve dhe furnizimin e pandërprerë të tyre me energji, por edhe për të mos lënë asgjë pa bërë, që barra faktike dhe psikologjike e kësaj lufte, dhe e inflacionit që ajo ka sjellë, të lehtësohet sa më shumë.
Një javë pas Enti Rregullator i Energjisë vendosi zbatimin e 42 lekëshit për mbi fashën 800 kilovat orë, qeverisë do t’i duhet të shkojë te ERE për ta shfuqizuar atë. Në mbyllje të vendimit të papritur për ta lënë të pandryshuar çmimin e energjisë për familjarët, këtyre të fundit dhe biznesit të vogël u kërkoi që ta kursejnë energjinë për aq sa është mundur.