Italia i jep fund krizës politike më të gjatë në historinë e Republikës. Qeveria e re me kryeministër Giuseppe Conten të propozuar nga koalicioni i dy forcave politike populiste, Lega Nord dhe Lëvizja 5, në orën 16 do të bëjnë betimin para presidentit Mattarella.

 

88 ditë pas votimit të 4 marsit, mes bisedimesh, takimesh dhe negociatash, presidenti Mattarella hoqi dorë nga vendimi i tij për mandatimin e një kryeministri teknik, dhe i dha dritën jeshile Luigi Di Maios dhe Matteo Salvinit, të cilët plotësuan të gjitha kushtet për formimin e qeverisë së re.

 

Pak ditë më parë presidenti vendosi veton ndaj kandidatit për ministër të Ekonomisë, Paolo Savona, për shkak të bindjeve të tij euroskeptike. Di Maio dhe Salvini zëvendësuan emrin e tij me Giovani Tria, ndërsa Savona do të mbajë postin e Ministrit të Politikave të Komunitetit.

 

Ekzekutivi i ri i përbërë nga 7 pjesëtarë të “5 yjeve” dhe 6 të Lega-s, do të punojë me vendosmëri për të përmirësuar cilësinë e jetesës së të gjithë italianëve. Kështu u shpreh Contes pas prezantimit të listës së tij të ministrave. Luigi Di Maio do të mbajë postin e Zv/kryeministrit dhe Ministrit të Punës, ndërsa Matteo Salvini do të jetë zv/kryeministër dhe ministër i Brendshëm.

 

Një kabinet populist me një program mjaft të rrezikshëm për Italinë, me qasje antieuropeiste. Kështu e ka cilësuar qeverinë e koalicionit kryetari i Partisë Demokratike Maurizio Martina. Për liderin e Forza Italia, njëkohësisht lider i koalicionit të qendrës së djathtë Silvio Berlusconi, “qeveria e re ka një orientim të fortë 5 yjesh e një program të pamundur për t’u realizuar.” Ndërsa partia “Fratelli d’ Italia” njoftoi se “do të abstenojë gjatë votëbesimit të qeverisë në Parlamentin Italian.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *