Subscribe

Profesionistët e shërbimit social në vendin tonë janë integruar në pjesën më të madhe të institucioneve edhe pa licencë, në shkelje të plotë me ligjin, ndërsa një numër i konsiderueshëm nuk kanë as arsimimin e duhur për këtë pozicion pune.

 

Kreu i Urdhrit të Punonjësit Social, Mirgit Vataj, konfirmon problematikën duke shtuar se muajin e ardhshëm do të nisë reforma për të identifikuar rastet.

 

MIRGIT VATAJ

 

KRYETAR I URDHERIT TE PUNONJESIT SOCIAL

 

“Na rezulton që një numër goxha i madh i individëve që janë të regjistruar si punonjës social nuk janë të licencuar. Pavarësisht kësaj janë rekrutuar në stafe. Duke filluar nga muaji shtator në bashkëpunim me Inspektoratin, i cili e ka detyrim ligjor, do të nisë identifikimi i rasteve dhe të ndërmerren veprimet ligjore. Në më pak se një vit janë regjistruar pranë Urdhrit të Punonjësit Social , rreth 670 profesionistë dhe rreth 480 prej tyre kanë marrë licencën.”

 

Sakaq nevojat për punonjës socialë të mirëfilltë sa vjen e shtohen, sidomos në sistemin e drejtësisë.

 

“Sistemi i drejtësisë ka një nevojë jashtëzakonisht shumë të madhe për punonjësin social. Nuk mund të ketë shërbime psikosociale në asnjë sektor, dhe aq më tepër në sektorin e drejtësisë, pa patur një punonjës social brenda saj. Dhe kjo është për të ardhur keq sepse ne këtu në Shqipëri kemi shumë sisteme që e kanë implementuar si politikë por nuk kanë punonjës të integruar në organikën e tyre për këto çështje.”

 

Kreu i Urdhrit të Punonjësit Social, Mirgit Vataj thekson gjithashtu edhe faktin se ky profesion nuk vlerësohet siç duhet e rrjedhimisht punonjësit social detyrohen të kryejnë punë jashtë kompetencave të tyre, përveç faktit që nuk paguhen mirë e në shumë raste nuk kanë as kushtet e nevojshme për të ushtruar detyrën.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *