Subscribe

Prokurori i Durrësit, Arjan Ndoja, një emër i bërë i njohur sidomos pas atentatit me armë ndaj tij në vitin 2019, u shkarkua nga shkalla e parë e vetting-ut.

 

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit i gjeti disa shkelje që lidhen me pastërtinë e figurës.

 

OLSI KOMICI

GJYQTAR, KPK

 

Trupi gjykues e konsideron të përfunduar seancën dëgjimore dhe procesin e rivlerësimit për Subjektin e rivlerësimit Arjan Ndoja dhe në përfundim të këtij procesi trupi gjykues i përbërë nga unë, Olsi Komici, kryesues, Xhensila Pine, anëtare dhe Firdes Schuetz relatore, vendosi: Shkarkimin nga detyra të subjektit Arjan Ndoja.  

 

Shkarkimi nga komisioni nuk u prit mirë nga prokurori, i cili u shpreh se do ta ankimojë vendimin deri në Gjykatën Europiane Për Të Drejtat E Njeriut.

 

ARJAN NDOJA-PROKUROR

 

Do pres biletën për Strasburg. Pas bubullimave do të ketë shi.

 

Seanca dëgjimore e 29 prillit për Arjan Ndojën u shoqërua me debate të forta mes tij dhe përfaqësuesit te operacionit ndërkombëtar të monitorimit, Theo Jacobs. Ky i fundit u shpreh se nëse do të ishte drejtues i prokurorisë, nuk do te pranonte kurrë që pjesë e ekipit të tij të ishte edhe Arjan Ndoja.

 

THEO JACOBS

PËRFAQËSUES I ONM-së

 

“Ju fitonit 250 mijë euro në vit nga puna si avokat. Nuk e di se sa avokatë janë në gjendje të fitojnë 250 mijë euro në vit. Nga vendi nga vij unë, shumë avokatë do të ishin të lumtur nëse në 2005-2007 do fitonin nga 250 mijë euro. Një prokuror në atë kohë fitonte një të dhjetën e pagës suaj si avokat.”

 

Ndoja u hetua për dy nga tre kriteret mbi të cilat ngrihet vetting-u, ai i pastërtisë së figurës dhe profesionalizmit. Atentati i bërë ndaj tij ka ngritur dyshime për imazhin e magjistratit, pasi një nga personat që shoqëronin prokurorin pasditen e 1 nëntorit ka qenë edhe një personazh i dyshuar si i përfshirë në botën e krimit.

 

Ndaj dhe përfaqësuesi i ONM ngriti dyshime për të kaluarën e prokurorit.

 

Makina me të cilën ai udhëtonte u qëllua me breshëri pranë mbikalimit të Shkozetit. Shoferi i tij Andi Maloku mbeti i vdekur, ndërsa Ndoja u plagos. Për këtë ngjarje SPAK akuzoi Radjan Rrajën, i cili tashmë ndodhet në qeli.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *