Policia Rrugore e Shkodrës intensifikon kontrollet, arrestime dhe mbi 1 mijë masa administrative në një javë

Policia Rrugore e Shkodrës ka intensifikuar monitorimet dhe kontrollet në të gjitha akset urbane, interurbane dhe rurale të qarkut, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e sigurisë në rrugë.
Gjatë një jave monitorimesh, uniformat blu kanë arrestuar në flagrancë një shtetas, ndërsa pesë të tjerë janë proceduar penalisht për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.
Në fokus të kontrolleve kanë qenë drejtuesit që drejtojnë automjetet nën efektin e alkoolit, pa leje drejtimi, kryejnë parakalime të gabuara, tejkalojnë shpejtësinë e lejuar, përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit apo nuk respektojnë detyrimin për vendosjen e rripit të sigurimit dhe kaskës mbrojtëse.
Sipas të dhënave të Policisë Rrugore të Shkodrës, gjatë kësaj periudhe janë vendosur 1,253 masa administrative për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor.
Masat administrative janë ndarë si më poshtë:
- 47 masa për parakalime të gabuara;
- 317 masa për tejkalim të normave të shpejtësisë;
- 6 masa për drejtim mjeti nën ndikimin e pijeve alkoolike;
- 23 masa për mosvendosjen e rripit të sigurimit;
- 6 masa për përdorimin e celularit gjatë drejtimit të mjetit;
- 39 masa për mosvendosjen e kaskës mbrojtëse;
- 6 masa për qarkullim me xhama të errësuar;
- 482 masa për parkim ose qëndrim të gabuar;
- 327 masa për shkelje të tjera të Kodit Rrugor.
Policia Rrugore bën me dije se kontrollet do të vijojnë në të gjitha akset e qarkut, me fokus evidentimin e shkeljeve dhe parandalimin e aksidenteve rrugore.
Në apelimin drejtuar drejtuesve të automjeteve, Policia Rrugore kërkon respektimin me rigorozitet të rregullave të qarkullimit dhe ndërgjegjësim për rritjen e sigurisë së të gjithë përdoruesve të rrugës.
Qytetarët ftohen të denoncojnë çdo shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor në numrin pa pagesë 112.




