Policia: 59 të arrestuar dhe 116 të proçeduar për dhunën e kaosin në protestë
59 shtetas janë arrestuar në flagrancë dhe 116 të tjerë procedohen penalisht në gjendje të lirë pasi organizuan grumbullim dhe manifestim të paligjshëm, ushtruan dhunë dhe plagosën punonjësit e Policisë, si dhe shkatërruan pronën publike e private.
Rreth orës 18:00 të datës 10.12.2020, para godinës së Ministrisë së Brendshme nisi një tubim i paligjshëm i cili u përshkallëzua në veprime të dhunshme ndaj institucionit të Ministrisë së Brendshme dhe ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit të cilët ishin në shërbim.Më pas, pjesëmarrësit në tubim u ndanë në disa grupe dhe për rreth tre orë kanë ushtruar dhunë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në sheshin Skënderbej, në rrugën “Myslym Shyri”, tek Tajvani, në ish-Bllok, te 21-shi, tek ETC-ja, banka e Shqipërisë, ndaj një selie të një subjekti politik, Ministrisë së Financave, në shumë biznese private etj. Gjithashtu, këto grupe kanë sulmuar me gurë e me lëndë piroteknike Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë dhe Komisariatin e Policinë Nr. 2.Si pasojë e dhunës me gurë, pllaka guri, sende të forta dhe lëndë piroteknike u plagosën 5 punonjës policie, duke u shkaktuar dëmtime të rënda fizike, u shkatërrua sinjalistika horizontale dhe vertikale në rrugët e lartpërmendura, semaforët, llambadarët e ndriçimit të rrugëve, u është vënë flaka kazanëve të mbeturinave, si dhe në institucionet shtetërore dhe subjektet private janë shkaktuar dëme të mëdha materiale.
Strukturat operacionale kanë bërë të mundur filmimin e personave të dhunshëm të cilët plagosën punonjësit e Policisë dhe shkatërruan pronën publike e private dhe në bazë të filmimeve kanë bërë shoqërimin e tyre. Më pas, në përfundim të veprimeve procedurale është bërë arrestimi në flagrancë i 59 shtetasve, si dhe u proceduan penalisht 116 të tjerë, për kryerjen e veprave penale “Organizimi dhe pjesëmarrja ne grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Prishja e qetësisë publike”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe ”Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe ‘’Mbajtja dhe përdorimi i lëndëve plasëse dhe piroteknike’’.
Ndërkohë, vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjetër të përfshirë në veprime të dhunshme ndaj Policisë, pronës shtetërore dhe asaj private, si dhe për identifikimin dhe kapjen e organizatorëve të cilët kanë bërë dhe bëjnë thirrje në rrjetet sociale për të marrë pjesë në tubime të paligjshme.
Policia e Shtetit apelon për prindërit që të mos lejojnë minorenët të marrin pjesë në tubime apo të keqpërdoren nga më të rriturit, pasi pjesëmarrja vetëm rrezikon integritetin e tyre fizik dhe vështirëson punën e Policisë në menaxhimin e tubimit, për të parandaluar dhunën dhe shkatërrimin e pronës shtetërore dhe asaj private.
Policia e Shtetit u bën thirrje të gjithë atyre që duan të protestojnë që të mbajnë parasysh se në këtë kohë të jashtëzakonshme për shëndetin e njerëzve tubimet e më shumë se 10 personave janë të ndaluara me ligj dhe po ashtu çdo përdorim dhune është i dënueshëm nga ligji. Gjithashtu, Policia e Shtetit sjell në vëmendjen e çdo nxitësi apo ushtruesi dhune ndaj uniformave të Policisë, se efektivët e saj e kanë për detyrë të reagojnë proporcionalisht dhe nuk do të ngurrojnë ta bëjnë këtë në asnjë rast dhe për asnjë arsye.




