Partia Demokratike ka publikuar dokumente të tjera, që sipas saj, vërtetojnë se kryebashkiaku i Vorës, Agim Kajmaku është arrestuar në Greqi duke bërë biznes me para të falsifikuara.
Në një deklaratë për mediat, ish-deputeti demokrat Gent Strazimiri deklaroi se dokumetet e sistemit TIMS tregojnë se fotoja e pasaportës së Agim Kajmakut është e njëjtë me atë të Jorgo Totës.
“Ky dokument, i marrë nga sistemi TIMS (dokumenti 1) është me foton e Jorgo Totos në pasaportën me nr. Z 0148497, me të cilën dhe është arrestuar. Dokumenti i dytë është po ashtu i nxjerrë nga sistemi TIMS tregon pasaportën me emrin Agim Kajmaku, por me të njëjtën foto si edhe Jorgo Toto në pasaportën me të cilën është arrestuar. Krahasimi i dy fotove që janë të të njëtit person, verteton se personi i kërkuar nën emrin Jorgo Toto, në fakt është Agim Kajmaku.”
Sipas Strazimirit, provat janë të pakontestueshme dhe Agim Kajmaku apo Jorgo Toto duhet të largohet nga detyra e të merret i pandehur për veprën penale të kryer në shtetin grek si dhe për atë të mashtrimit me deklarimet e formularit të dekriminalizimit.
“Por ai nuk largohet sepse e mbron Edi Rama. Edi Rama e mbron sepse ai është përfaqësuesi ideal i modelit kriminal të qeverisjes së tij. Edi Rama hesht, njësoj si mafia me kodin e “Omerta” sepse Agim Kajmaku alias Jorgo Toto është simboli i kriminalizimit të qeverisjes nga organizata kriminale e Rilindjes. Edi Rama e mbron sepse siç provuam dhe një ditë më parë, me Kajmakun dhe kajmakët e tjerë ai ndan paratë publike të grabitura shqiptarëve me tendera me miliona euro. Prandaj Edi Rama, si njeriu që ka zgjedhur të qeverisë me krimin duhet larguar një orë e më parë. Pushteti i krimit duhet zhdukur nga rrënjët dhe zgjedhje e lira, përgatitur nga një qeveri pa Edi Ramën është e vetmja rrugë për ti dhënë shqiptarëve drejtimin që meritojnë.”








