Subscribe

Partia Demokratike ka vijuar akuzat në drejtim të KQZ sa I takon çështjes së numrit të votuesve në 30 qershor.

 

Në një deklaratë për mediat, sekretari për Çështjet Zgjedhore, Ivi Kaso deklaroi se KQZ po luan një teatër qesharak me qëllim që t’u hedh hi syve të shqiptarëve për të vërtetën e manipulimit të 30 qershorit.

 

Ivi Kaso e cilësoi hapjen e kutive në Lezhë si një farsë pasi sipas tij, opozita nuk kishte pasur kontestime në lidhje me numërimin por me mbushjen e kutive.

 

“Sot, në Komisionin Qendror të Vjedhjeve u luajt një teatër qesharak për t’u hedhur hi syve shqiptarëve për të vërtetën e manipulimit të 30 Qershorit.  Sipas farsës së urdhëruar nga Edi Rama dhe të paralajmëruar nga Partia Demokratike, KQZ-ja hapi disa kuti, për numërimin e të cilave nuk ka patur asnjëherë kontestim nga opozita.  Shfaqja është një sajesë e trashë për të mbuluar manipulimin me shifrat e pjesëmarrjes në votimet moniste të 30 Qershorit.”

 

Ai akuzoi katër anëtarët e KQZ se sipas tij, po dhurojnë show dhe jo transparencë për shqiptarët.

 

“Për të fshehur këtë manipulim, KQZ-ja refuzon të hapë kutinë e materialeve zgjedhore, kur gjendet lista e votuesve. Duke mos hapur kutinë e materialeve zgjedhore, Komisioni Qendror i Vjedhjeve eliminon mundësinë e vetme për të krahasuar votat e gjetura në kutitë e hapura me listën e votuesve në kutinë e materialeve, e cila mbahet qëllimisht  mbyllur. 4 kamikazët e Ramës në KQZ e refuzuan transaprencën, e refuzuan kërkesën e Kryetarit të KQZ-së për të verifikuar listat. Atyre u duhet show dhe jo transparencë. U duhet bindje ndaj urdhrit politik dhe jo ndaj ligjit. KQZ ka detyrim të bëjë transparencë.”

 

Sipas sekretarit të Çështjeve zgjedhore të PD, KQZ ka detyrimin ligjor t’i vendosë opozitës në dispozicion materialet zgjedhore me qëllim verifikimin e plotë të numrit të votuesve.

 

“Publikimi i tyre do të hedhë dritë mbi çdo aspekt të farsës zgjedhore të 30 Qershorit, që deri tani është mbajtur sekret.  Asnjë truk prej hajduti nuk ia zgjidh dot Edi Ramës hallin e madh për t’i treguar botës se nuk është ashtu siç duket, pasi është kapur në flagrancë duke mbushur kutitë e votimit. Fati politik i Edi Ramës është vulosur më 30 Qershor. Ai është kryeministri i parë në këto 30 vjet që refuzohet nga 85% e shqiptarëve dhe shumë shpejt, nuk do të jetë më pengesë për Shqipërinë dhe rrugën e saj europiane.”

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *