Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Orjola Pampuri inspektoi këtë të premte situatën shëndetësore dhe masat e marra nga qeveria në Spitalin e Durrësit për parandalimin e rrezikut nga koronavirusi.

 

Sipas Pampurit, mjekët po punojnë pa masa mbrojtëse duke vënë në rrezik jetën e tyre dhe të qytetarëve. Ndërsa i konsideroi deklaratat e autoriteteve shtetërore “propaganda boshe”.

 

“Jemi në spitalin e Durrësit ku pata rastin të vizitoj ambientet e brendshme të spitalit të Durrësit, takova personelin shëndetësor, takova mjekë, prej të cilëve një pjesë e tyre ishin të pa pajisur me maska, madje edhe ata që kishin maska kishin mundur t’i siguronin privatisht duke i blerë vetë këto maska. Ka një furnizim shumë të dobët me doreza, të cilat duhet te jenë të pranishme këto ditë, mjekët nuk kanë kapuç, nuk kanë doreza, nuk kanë dezinfektantë, ka mungesë maskash”, tha Pampuri.

 

Ndër të tjera, ish-deputetja tha se Shqipëria është në prag të një epidemie dhe qeveria nuk ka përgatitur asnjë plan masash apo strategji.

 

“Është gjithçka ndryshe nga jo që paraqet ministria dhe nga ajo që paraqitet nga qeveria. Nuk ka asnjë plan masash të qartë dhe i cili t’i bëhet i ditur qytetarëve. Jemi në prag të një epidemie, ku vendet fqinje, Itali dhe Greqia kanë shumë të prekur. Italia ka shumë të prekur koronavirusi dhe duke qenë në një situatë të tillë sigurisht edhe Shqipëria duhet të kishte një plan masash  të cilat duhet të ishin bërë të qarta qytetarëve, duhet të kishte një strategji. Strategjia që qeveria dhe ministria po ndjek është komplet ndryshe nga ajo që po ndjekin vendet e Europës dhe është komplet ndryshe dhe komplet ndryshe nga ato që po ndjekin vendet të cilat sigurisht kanë paraqitur masat mbrojtëse për t’u përballur me koronavirusin”.

 

Pampuri hodhi akuza ndaj qeverisë duke thënë se të gjitha miliona eurot që shkojnë në vit për kocensionaret, për PPP-të a për tenderat e ministrisë, duhet të ishin sot për të përballuar këtë situatë.

 

“Të gjitha ato miliona euro që shkojnë në vit për kocensionaret, për PPP-të, për tenderat e ministrisë duhet të ishin sot për të përballuar këtë situatë. Nuk kemi asnjë transparencë me buxhetin me të cilin do të përballohet kjo situatë. Pra, e gjitha kjo është një situatë në të cilën jemi jo të gatshëm për tu përballur dhe nuk kemi asnjë strategji për ta përballuar.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *