Paketa fiskale, Muçollari: Të mbushësh një kovë të shpuar ngado prej korrupsionit!

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Grigels Muçollari, ka kritikuar paketën fiskale të qeverisë.
Në një reagim në rrjetet sociale, Muçollari shkruan se Rama po kërkon më shumë taksa, por pa dhënë më parë llogari për paratë publike që humbasin nga korrupsioni, abuzimet dhe keqmenaxhimi.
Sipas tij, në vend që të mbyllë vrimat e korrupsionit, qeveria kërkon ta mbushë kovën me më shumë para nga xhepat e shqiptarëve!
Postimi i Muçollarit:
Të mbushësh një kovë të shpuar ngado prej korrupsionit!
Rama po kërkon më shumë taksa, por pa dhënë më parë llogari për paratë publike që humbasin nga korrupsioni, abuzimet dhe keqmenaxhimi.
Në vend që të mbyllë vrimat e korrupsionit, kërkon ta mbushë kovën me më shumë para nga xhepat e shqiptarëve! U krekose se buxheti për vitin tjetër do të jetë 10 miliardë, po nuk thua asgjë për faktin se bashkëpunëtorja jote kryesore akuzohet se ka abuzuar me 1.2 miliardë euro në tendera.
Dhe të mos gënjejmë veten: taksat mund t’i vendosen biznesit, por faturën në fund e paguan konsumatori! Me çmime më të larta, do të ketë më pak investime dhe më pak mundësi punësimi.
Më shqetësues është fakti se ndryshime kaq të rëndësishme po përshpejtohen nën presionin politik, në mes të natës, pa konsultim të mjaftueshëm me biznesin dhe grupet e interesit.
Përpara se të rrisësh taksat, lufto korrupsionin! Përpara se të rëndosh qytetarët, jep llogari për paratë e tyre!
Por ti as s’di, as s’do ta bësh këtë. Të duhet vetëm një përmbajtje e re për propagandën, që t’u mbushësh mendjen shqiptarëve sikur po ul taksat e po ua lehtëson koston e jetesës. Një paketë populiste që synon të rrisë kreditet e rëna në tokë nga revolta, por që nuk sjell asnjë zgjidhje për ekonominë.
Këtë radhë vështirë e ke, sepse shqiptarët nuk duan të jenë gjithmonë ata që paguajnë faturën e korrupsionit dhe keqqeverisjes!
Një vendim që e kanë marrë është largimi yt!




