“Pa fustan mund të rrish, pa bukë jo”/ Balla rendit arsyet pse opozita duhet të votojë buxhetin 2027

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka renditur shtatë arsyet pse, sipas tij, edhe deputetët e opozitës duhet të votojnë buxhetin e vitit 2027.
Gjatë diskutimeve në Kuvend, Balla u ndal te ulja e TVSH-së për produktet bazë, lehtësimi i barrës fiskale për pagat, mbështetja për çiftet e reja dhe familjet me fëmijë, si dhe përfitimet për studentët dhe drejtuesit e automjeteve. Ai argumentoi se këto masa do të sjellin më shumë para në xhepat e qytetarëve.
Balla: Për një bukë 1 mijë lekëshe të vjetra, qytetarët prej 1 janarit do të paguajnë 88 lekë. Do të ulet me 120 lekë buka. Zonja tha jo, po ju po rrisni çmimet e fustaneve, sepse po rritet TVSH-ja nga 20%, në 21%. Pa fustan edhe mundesh. Mes fustanit dhe bukës është më e rëndësishme të ulim çmimin e bukës.
Unë kam 7 arsye pse dhe deputetët e opozitës duhet ta votojnë buxhetin.
Arsyeja e parë, pse ju duhet ta votoni buxhetin dhe ne duhet ta votojmë buxhetin, është sepse në këtë buxhet familjet shqiptare do të paguajnë më pak për ushqimet bazë.
E dyta, pse duhet ta votojmë buxhetin, sepse një profesionist i punësuar në privat, me pagë 3 milionë lekë të vjetra, duhet të paguajë më pak taksa dhe të çojë më shumë para në shtëpi.
E treta, sepse me këtë buxhet një çift i ri ka më shumë mundësi strehimi. 10 mijë apartamente mundësohen nëpërmjet këtij buxheti dhe ligjit që kalojmë sot për strehimin social.
E katërta, sepse me këtë buxhet, një prind merr një mbështetje mujore për fëmijën me aftësi të kufizuara.
E pesta, sepse me këtë buxhet një familje e re merr për 5 vjet rresht mbështetje për beben e porsalindur.
E gjashta, sepse ky buxhet mbështet studentët. A jeni ju për të mbështetur studentët? Po? Votojeni buxhetin!
E shtata, ky buxhet ia mundëson çdo drejtuesi mjeti dhe po jua bëj shumë të thjeshtë llogarinë këtu. Një drejtues mjeti harxhon 4 mijë litra naftë në vit. Duke llogaritur pak më shumë se 10 litra në ditë, herë 364 ditë, 1422 euro i mbeten në xhep këtij drejtuesi mjeti me heqjen e taksës së qarkullimit.




