Kundërshtarët e presidentit serb Aleksandër Vuçiç mbushën sheshet e kryeqytetit të hënën në mbrëmje duke protestuar ndaj manipulimit të zgjedhjeve të së dielës, të cilat sipas vëzhguesve ndërkombëtar u  shoqëruan me shumë parregullsi.

Në Beograd, mijëra njerëz  u mblodhën para selisë së Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, duke brohoritur “hajdutë”, ndërsa udhëheqësit e opozitës hynë në seli për të paraqitur ankesa zyrtare me pretendimet për mashtrime në zgjedhjet.

Një nga  liderët e koalicionit opozitar “Serbia kundër dhunës”, Miroslav Aleksiç tha se Komisionit i janë paraqitur kërkesa për anulimin e zgjedhjeve në Beograd.

“Kemi dorëzuar të gjitha vërejtjet tona, dëshmitë, regjistrimet dhe gjithçka që duhet të shohë Komisioni i Zgjedhjeve, përfshirë dëshmitë se në çfarë kushtesh janë mbajtur zgjedhjet dhe si është kryer vjedhja brutale në qendrat e votimit, se si njerëzit nga Republika Serbe, nga Bosnja, u sollën (për të votuar). Shefi i Komisionit nuk arriti të na japë një përgjigje të vetme për asnjë pyetje, përfshirë pyetjen: Si është e mundur që ministri i Policisë nga Bosnja dhe Hercegovina të vijë për të votuar në Beograd? Sipas cilit ligj?”, tha Miroslav Aleksic.

Miroslav Aleksiç dhe udhëheqësja tjetër e opozitës Marinika Tepiç thanë se do hyjnë në grevë urie deri në përmbushjen e kërkesave të tyre. Gjatë protestës pati përpjekje për të hyrë në selinë e Komisionit mbi ndërtesën e të cilit protestuesit hodhën vezë, domate dhe letra higjienike.

Probleme serioze dhe parregullsi në zgjedhje kanë raportuar edhe vëzhguesit e huaj të OSBE ODIHR, raportime për të cilat ka reaguar edhe ministria Gjermane për punët e jashtme.

“Serbia ka votuar, por OSBE dhe ODIHR kanë raportuar për abuzime të burimeve publike, frikësim të votuesve dhe raste të blerjes së votave. Kjo është e papranueshme për një shtet që e ka statusin e vendit kandidat për anëtarësim”, thuhej në një deklaratë.

Por Partia Progresiste Serbe e presidentit Vuçiç, i ka hedhur poshtë akuzat për deformim te vullnetit te qytetareve.

Vetë Aleksandër Vuçiç u shfaq në televizionin shtetëror duke deklaruar se zgjedhjet ishin të drejta ndërsa iu bëri thirrje njerëzve të mos shqetësohen, pasi siç tha ai ligji dhe rendi do të mbizotërojnë. /vizionplus.tv

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *