Misioni i ODIHR vendosi vulën përfundimtare për zgjedhjet e 25 prillit duke theksuar se shqiptarët patën mundësi të zgjidhnin mes kandidatëve për parlamentin e ardhshëm, ndërkohë që kuadri ligjor respektoi liritë themelore. Në raportin përfundimtar prej 36 faqesh vëzhguesit e ODIHR vunë në dukje se procesi i votimit  ishte i qetë dhe sekreti i votës përgjithësisht u respektua.

 

“Në zgjedhjet e 25 prillit, zgjedhësit patën mundësi të zgjidhnin mes kandidatëve, të cilët mundën të bënin fushatë në mënyrë të lirë dhe në kushtet e një kuadri ligjor që respekton liritë themelore.”

 

Vëzhguesit e ODIHR ngrenë disa problematika në lidhje me zgjedhjet parlamentare duke nisur nga lista e hartuar nga patronazhistët me të dhënat e 900 mijë qytetarëve deri tek përdorimi i burimeve shtetërore.

 

“Pavarësisht një kuadri ligjor të fortë të vendosur për të ndaluar keqpërdorimin e burimeve administrative dhe minimizimit të përdorimit të postit, ministrat vazhduan të bënin fushatë gjatë angazhimeve zyrtare. Ky publicitet  i dha partisë në pushtet një avantazh të rëndësishëm.  Nga ana tjetër, në mënyrë zyrtare, Presidenti bëri fushatë kundër partisë në pushtet.”

 

Një tjetër çështje që ngre misioni i ODIHR është fenomeni i shitblerjes së votës.

 

“Ashtu si në zgjedhjet e kaluara, pretendime të besueshme për blerje votash ishin prezente gjatë dhe pas fushatës dhe hetime nisën në një sërë rastesh. PD, zëri më i fortë  kundër blerjes së votave, adoptoi një metodë ndërhyrje, potencialisht joligjore për të mbrojtur votën, të cilën e justifikoi në deklarata publike. Drejtuesit e policisë që takoi ODIHR theksuan se askush nuk ka të drejtë të ngrejë struktura paralele me policinë.”

 

Në fund të raportit, ODIHR ka vendosur 23 rekomandime, ku theksohet së pari rregullimi i kuadrit ligjor, garantimi i votës së lirë e pa presione, mbrojtja e të dhënave personale.

 

“Agjencitë e zbatimit të ligjit duhet të intensifikojnë përpjekjet për të identifikuar, hetuar dhe ndjekur penalisht blerjen e votës.” 

 

Ky raport i ODIHR do të shërbejë si pikë reference për të gjithë institucionet dhe faktorin ndërkombëtar për standardet e zgjedhjeve parlamentare, veçanërisht pas qëndrimit të opozitës se nuk e njeh rezultatin e 25 prillit. Nga ana tjetër të gjitha këto rekomandime të ODIHR do të shërbejnë si bazë për reformën e re zgjedhore, e cila është një prej kërkesave që Partia Demokratike do të artikulojë në parlamentin e ri në shtator.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *