Presidenti Ilir Meta ka uruar besimtarët për festën e Fitër Bajramit, pas sakrificës së muajit të Ramazanit.

Kreu i shtetit theksoi se suksesi i njeriut qëndron tek forca për të kapërcyer vështirësitë, teksa shtoi se Fitër Bajrami përcjell mesazhin e natyrshmërisë njerëzore, të paqes me veten, me njerëzit dhe universin në tërësi.

Po ashtu, ai ka cituar fjalën e profetit Muhamed:”Nuk do të jeni besimtarë deri sa ta doni njëri-tjetrin”.

“Sot besimtarët myslimanë kremtojnë përkushtimin dhe sakrificën e Muajit të Madhërueshëm të Ramazanit, muajit të vetëpastrimit shpirtëror, të amnistisë hyjnore dhe solidaritetit njerëzor. Agjërimi si rit abrahamik, për besimtarët risjell çdo vit nevojën e largimit nga ligësitë që janë pasojë e mospajtimit të arsyes me dëshirat. Fitër Bajrami përcjell mesazhin e natyrshmërisë njerëzore, të paqes me veten, me njerëzit dhe universin në tërësi, nëpërmjet vetëprivimit ndaj egos dhe mposhtjes së kapriçove abuzive. Suksesi i njeriut qëndron tek forca për të kapërcyer vështirësitë, me dashuri dhe respekt ndaj njëri-tjetrit, siç porosit Profeti Muhamed: “Nuk do të jeni besimtarë deri sa ta doni njëri-tjetrin”. Bashkoj lutjet e mia me ju, për jetimët, pensionistët, të sëmurët dhe të pamundurit, të cilët në këtë kohë pandemie e kanë patur më të vështirë. Zoti ua pranoftë agjerimin gjatë Muajit të Bekuar të Ramazanit! Gëzuar festën e Fitër Bajramit, me shëndet e mbarësi! Me lutjet tuaja dhe të gjithë shqiptarëve, Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët kudo ku ndodhen.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *