“Nëna po më rrit vetëm”, 12-vjeçari përlot moderatoren: Motivi im, një ditë t’ja plotësoj të gjitha dëshirat mamit
Një moment emocionues është regjistruar në emisionin “Mes’dritë”, me moderatore Alma Çelaj, ku dy fëmijët e ftuar, Isabela dhe Klajdi, ndanë mendimet e tyre për familjen, dashurinë dhe sakrificat e prindërve. Mes përgjigjeve të tyre, spikati dëshira e 12-vjeçarit për të ardhmen e nënës së tij, duke treguar se pas lumturisë së tij qëndron edhe mirënjohja për gjithçka që ajo bën për të.
I pyetur se cila do të ishte dëshira e tij e vetme për nënën, Klajdi u shpreh se dëshiron që ajo të ketë gjithçka që i do zemra. Ai tregoi se e sheh çdo ditë sa shumë përpiqet nëna e tij për ta rritur, veçanërisht pasi ajo e rrit e vetme, dhe se kjo e motivon të punojë fort për të ardhmen.
“Dëshira ime është për mamanë time që ajo të kishte çdo gjë që donte. Për shembull, unë kam motiv që në jetën time, kur të rritem, dua të arrij t’ia blej çdo gjë që mami im ka qejf. Po e shoh se sa vështirësi ka ajo për të më rritur mua, sepse është edhe e vetme dhe është pak e vështirë. Ajo po më plotëson çdo gjë të mirë që mund të mendoj i them: ‘Mami, më pëlqen kjo, ikim ta blejmë’. Dhe unë dua thjesht që mamaja ime të jetë vetëm e lumtur e të mos ketë asnjë moment mërzie.”, tha Klajdi.
VIDEO- Klajdi: Dua t’i plotësoj mamit gjithçka
Edhe Isabela ndau dëshirën e saj për nënën, duke thënë se mbi të gjitha dëshiron ta shohë të lumtur. Përgjatë bisedës me moderatoren, të dy fëmijët folën për rëndësinë e familjes, për lodhjen dhe përgjegjësitë e prindërve, si dhe për mënyrat e vogla me të cilat mund t’ua lehtësojnë ditën, përmes ndihmës në shtëpi, sjelljes së mirë dhe dashurisë që u shprehin.
/vizionplus.tv




