E shtunë, 28 Nëntor 2026 Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Ekonomi

Nga komposto, salcë domate, spec e deri tek fërgesë e trahana, AKU aksion në të gjithë vendin, bllokon 63 ton produkte ushqimore

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka bllokuar 63 ton produkte ushqimore, pas kontrolleve në në të gjithë vendin.

Në një njoftim për media, AKU bën me dije se mes produkteve të bllokuara janë: komposto, salcë domate, trahana, fërgesë e uthull.

Po ashtu, AKU ka gjobitur me 400 mijë lekë të reja 2 subjekte, ndërsa 4 masa të tjera janë dhënë “paralajmërim”.

Njoftimi i plotë:

Reklamë

Në vijim të transparencës dhe informimit të publikut, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit njofton mbi rezultatet e kontrolleve zyrtare të ushtruara në rang vendi gjatë datave 26.11.2026 – 27.11.2026.

Gjatë kësaj periudhe, trupat inspektuese të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit kanë inspektuar në total 128 subjekte, nga të cilat 48 subjekte me origjinë shtazore, 49 subjekte me origjinë joshtazore dhe 31 subjekte MBIB (Produkte të mbrojtjes së bimëve dhe inputeve bujqësore).

Nga inspektimet e kryera, për problematikat e evidentuara janë marrë 4 masa administrative me “paralajmërim”, me qëllim sistemimin e ambienteve dhe rinovimin e raport-provave.

Gjithashtu, për shkeljet e konstatuara gjatë kontrolleve zyrtare, janë vendosur 2 masa administrative me “gjobë”, në vlerën totale prej 400.000 lekësh.

Konkretisht nga DRAKU Tiranë:

  • Masë administrative me “gjobë” në vlerën 100.000 lekë ndaj subjektit “Redian Dobruna”, për mungesë të sistemit të gjurmueshmërisë.
  • Masë administrative me “gjobë” në vlerën 300.000 lekë ndaj subjektit “Pronatyra treg”, për hedhje në treg të ushqimit të pasigurt.

Përsa i përket masave të tjera të marra gjatë kësaj periudhe, janë aplikuar 2 raste të bllokimit të produkteve, në një sasi totale prej 88.9 ton, 1 rast i ndërprerjes së aktivitetit, si dhe është realizuar 1 rast asgjësimi për një sasi prej 27.86 ton, me kërkesë të vetë subjektit.

Në qarkun Durrës, trupat inspektuese të DRAKU Durrës kanë bllokuar një sasi prej 25.48 ton misër (ushqim për kafshë) të subjektit “Besniku shpk” të importuar nga Pika e Kalimit Kufitar (PIK) Hani i Hotit, në bazë të Planit tre-mujor të Monitorimit për Produktet e Importit, ngarkesa ka kaluar me bllokim në ambientet e magazinimit deri në daljen e përgjigjeve të analizave laboratorike.

Pas njoftimit të marrë nga Drejtoria e Përgjithshme, se treguesit e analizave laboratorike kanë rezultuar mbi normën e lejuar për praninë e Aflatoksinës B1, trupat inspektuese kanë kryer kontrollin përkatës dhe i kanë lënë detyrë subjektit mbajtjen e produktit të bllokuar deri në kthimin e tij në vendin e origjinës.

Në qarkun Berat, trupa inspektuese e AKU-së, në bashkëpunim me strukturën e Krimit Ekonomik, ka ushtruar kontroll pranë subjektit “Sybi Ametbeja”, me aktivitet “Fruta-Konservim/Ambalazhim”.

Gjatë kontrollit është vendosur masa urgjente e bllokimit për 11 produkte ushqimore, në një sasi totale prej 63.422 ton deri në daljen e përgjigjeve të analizave laboratorike.

Produktet e bllokuara janë:

  • Trangull marinadë – 13,518.6 kg
  • Komposto pjeshke – 8,624.08 kg
  • Salcë domate – 1,198.08 kg
  • Speca marinadë – 9,945.2 kg
  • Spec djegës – 4,467.954 kg
  • Komposto kumbulle – 16,503.22 kg
  • Komposto qershie – 1,205.54 kg
  • Fërgesë – 947.652 kg
  • Sallatë e përzier – 6,312.4 kg
  • Trahana – 500 kg
  • Uthull – 200 kg

Masa e bllokimit dhe marrja e mostrave për secilin produkt janë realizuar në zbatim të nenit 46 të Ligjit nr. 99/2024, datë 12.09.2024, “Për Inspektimin në Republikën e Shqipërisë”.

Gjithashtu, në zbatim të nenit 46, pika 1, të po këtij ligji, për shkak të kushteve të papërshtatshme higjieno-sanitare të konstatuara në ambientet e subjektit, është marrë masa urgjente e ndërprerjes së aktivitetit deri në plotësimin e kërkesave ligjore brenda afatit kohor të përcaktuar. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit mbetet i angazhuar në vijimin e kontrolleve zyrtare dhe bashkëpunimin e ngushtë me të gjitha organet ligjzbatuese si dhe në reagim të menjëhershëm ndaj çdo problematike që mund të cenojë sigurinë ushqimore dhe informimin e publikut.  

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.