114 vjetori i Pavarësisë, krerët e shtetit mblidhen në Vlorë, forca të shumta policie në terren, qytetarët ndalohen t’i afrohen sheshit

Qyteti i Vlorës kremton sot 114 vjetorin , Ditën e Pavarësisë, ndërsa rreth orës 10:00 pritet të zhvillohet ceremonia zyrtare e ngritjes së flamurit në Sheshin e Flamurit. Në këtë ceremoni pritet të marrin pjesë Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, si dhe kryeministri Edi Rama.
Ndërkohë, ajo që bie në sy këtë 28 Nëntor janë masat e shtuara të sigurisë. Forca të shumta të Policisë së Vlorës, të mbështetura edhe nga efektivë të ardhur nga Fieri, kanë krijuar një perimetër të gjerë sigurie duke rrethuar Sheshin e Flamurit.
Për herë të parë, sipas asaj që konstatohet në terren, qytetarët nuk lejohen t’i afrohen sheshit për të ndjekur nga afër ceremoninë e ngritjes së flamurit apo momentin e vendosjes së kurorave me lule pranë varrit të Ismail Qemalit.
Kështu, në një nga ditët më të rëndësishme historike për Vlorën dhe mbarë Shqipërinë, sheshi simbol i Pavarësisë është i rrethuar nga forcat e rendit, ndërsa qytetarët janë lënë jashtë perimetrit të sigurisë.




