Turqia dhe Greqia kanë qenë vazhdimisht në një kurs përplasjeje gjatë viteve të fundit për shkak të kufirit detar dhe mosmarrëveshjeve mbi ishujt përballë tokës turke.

Çështja e detit ka qenë “thembra e Akilit”, ku secila nga palët pretendon se ka sovranitet e vet në territoret e detit Egje. Pak kohë më parë, Erdogan, duke iu përgjigjur sulmeve të Greqisë, ka deklaruar se ky është shekulli i Turqisë, teksa apelonte Athinën zyrtare që të tregonte kujdes, pasi në të kundërt do të kishte kundërpërgjigje shumë të ashpra.

 

Ne mund dhe do të vijmë papritur brenda natës. rej 20 vitesh shpresojmë se do ta mobilizojmë vizionin e ‘Shekullit të Turqisë’ në të njëjtën mënyrë që kemi bërë me projektet që kemi arritur. A jemi gati të ndërtojmë së bashku “Shekullin e Turqisë?”, tha Erdogan pak kohë më parë.

 

Por pas këtyre deklaratave të forta nga ana e Erdogan, kërcënimi për një agresion të mundshëm ishte shumë i madh. Pakkush do e mendonte që në muajin e fundit të vitit, jo vetëm do të kishte një vizitë të presidentit turk në Greqi, por do të zbuteshin edhe retorikat, deri në pikën e vëllazërisë.

 

Pas takimit kokë më kokë, Erdogan dhe Mitsotakis dolën në një deklaratë të përbashkët për median. Presidenti turk në fjalën e tij tha se Egjeu do të bëhet një det paqeje mes dy shteteve, teksa shtoi se takime të tilla dypalëshe mund të mbahen çdo vit.

 

Ndjej kënaqësi të madhe që jam sërish në Athinë. Dëshiroj të falënderoj kryeministrin për mirëseardhjen. Ne duam të promovojmë marrëdhënien pozitive që ekziston. Besoj se mund ta mbajmë këtë takim një herë në vit. Ne ramë dakord të rrisim tregtinë dypalëshe në 10 miliardë. Dëshira jonë është të zgjidhim problemet e përbashkëta. Komuniteti rom në Turqi janë blloqe ndërtuese të pasurisë sonë kulturore. Në fillim thamë që nuk e miratojmë sulmin ndaj civilëve në Gaza. Ne jemi shtete fqinje që ndajmë të njëjtin det, është krejt e natyrshme që ka probleme mes dy vendeve, e lëre më dy vëllezërve. Ne duam ta bëjmë Egje një det paqeje”, tha Erdogan, raporton Protothema.

 

Nga ana tjetër, edhe Mitsotakis ishte mbështetës i stabilizimit të marrëdhënieve mes dy shteteve, teksa tha se Turqia dhe Greqia meritojnë të jetojnë në paqe me njëra-tjetrën.

 

Greqia dhe Turqia duhet të jetojnë në paqe. Të artikulojnë dallimet e tyre dhe të kërkojnë zgjidhje. Dhe nëse këto nuk kalohen, nuk duhet të prodhojnë tensione dhe kriza. Në këtë drejtim, ne ramë dakord të kapim fillin dhe të kërkojmë mënyra bashkëpunimi. Udhërrëfyesi që kemi miratuar përfshin tre nivele, dialogun politik, agjendën pozitive dhe memorandumin e mirëkuptimit”, tha Mitsotakis.

 

Duke “ulur shpatat” mes njëri-tjetrit, Greqia dhe Turqia kanë rënë dakord edhe për rritjen e tregëtisë dypalëshe, e cila pritet që të arrijë në vlerën 10 miliardë eurove.

 

Por pavarësisht takimeve paqësore dhe zotimit për tu bërë vëllezër, mbetet e paqartë nëse vijimi i marrëdhënieve do të vijojë gjithmonë kështu, apo do të ketë sërish tensione dhe përplasje më vonë. Kjo mbetet për tu parë, se sa do të zgjasë lidhja vëllazërore mes dy liderëve, duke marrë parasysh edhe faktin që Qipro është ende një “mollë sherri”. Kyriakos Mitsotakis tha: “ne gjithashtu nuk pajtohemi për çështjen e Qipros. Për ne e them qartë, për ne nuk ka zgjidhje tjetër përveç zbatimit të vendimeve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Dialogu duhet të rifillojë nga ku e la në vitin 2017. Vetëm përmes tij mund të ketë përparim thelbësor”./vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *