Subscribe

Rrethrrotullimi i Zogut të Zi po merr një pamje krejt të re, me shatërvanë funksionalë, lulishte dhe pemë. Puna e nisur pritet të përfundojë në fillim të shtatorit, ndërkohë kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha se kjo ndërhyrje vjen si pasojë e nevojës për rehabilitimin e rrethrrotullimit.

 

  “Vjet përfunduam hyrjen e Tiranës, Rr. “Dritan Hoxha”, e cila do të vazhdojë të sistemohet edhe këtë vit. Megjithatë, kjo është vetëm një ndërhyrje estetike. Këtu ka ekzistuar një pellgaqe bretkosash, por kjo s’mund të ishte hyrja e Tiranës. Projekti i ri parashikon një minipark, me një hapësirë qendrore për vendosjen e instalacioneve të ndryshme artistike, të cilat do të ndërrohen sipas stinëve. Ndërkohë, pjesa tjetër do të ketë disa hapësira me shatërvanë, ku do të mbjellim edhe bimësi shumë stinore, në mënyrë që edhe hyrja e Tiranës të ketë të njëjtin dinjitet si sheshi Skënderbej.”

 

Kryebashkiaku Veliaj deklaroi se një nga projektet e ardhshme do të jetë ndërtimi i nënkalimit te sheshi “Shqiponja”, që do të zgjidhë përfundimisht problemin e trafikut në këtë zonë tepër të rëndësishme.

 

“Fillimisht do të fillojmë me nënkalimin te sheshi “Shqiponja”, aty e kemi edhe nyjën më të madhe problematike dhe për sa kohë që zgjidhim atë, duke e integruar me Unazën e Madhe të Tiranës, do të shikojmë sesi do të sillet trafiku për t’i dhënë një zgjidhje afatgjatë edhe Zogut të Zi. Por, teksa mendojmë për një zgjidhje afatgjatë, është shumë e rëndësishme edhe estetika dhe funksionaliteti i kësaj që kemi. Ndaj mezi pres që në një kohë rekord, për pak javë, të kemi një hyrje të Tiranës që është po aq dinjitoze sa hyrja e çdo shtëpie të qytetarëve të Tiranës.”

 

Kreu i bashkisë se Tiranës deklaroi se pas përfundimit te punimeve tek Zogu i Zi, do te nise ndërhyrja edhe ne fasadat e pallateve përreth, në mënyrë që te krijojë një përshtypje sa më pozitive për këdo që viziton kryeqytetin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *