Muzika, arti dhe atmosfera festive sollën në zemër të Kavajës çeljen zyrtare të sezonit turistik veror. Qendra e qytetit u kthye në një skenë të hapur festimesh, ku qindra qytetarë dhe vizitorë iu bashkuan aktiviteteve të organizuara nga Bashkia e Kavajës, duke përcjellë energji, optimizëm dhe mikpritje në prag të verës.
Mbrëmja u shoqërua nga performanca artistike që ndezën atmosferën. Në skenë u ngjitën artistë të njohur dhe grupi “Blue Bird Band”, me kitaristin Einar Nelku, të njohur për performancat live, ndërsa publiku shijoi edhe interpretimin e këngëtares Ronela Hajati.
Një tjetër moment i veçantë ishte pjesëmarrja e konkurrenteve të Miss Shqipëria, të cilat sollën në këtë aktivitet mesazhe që lidhen me traditën shqiptare dhe ritualet e stinës së verës përmes veshjeve dhe prezencës së tyre në skenë.
Në këtë eksperiencë shtegëtare, vajzat e Miss Shqipëria u bënë pjesë për herë të dytë të një ceremonie të çeljes së sezonit veror, duke sjellë energji, emocione dhe vetëbesim, ndërsa promovojnë bukuritë natyrore dhe vlerat turistike të Shqipërisë.
Kavaja dhe zona e saj bregdetare vijojnë të mbeten ndër destinacionet më të preferuara të turizmit veror në vend. Investimet në infrastrukturë, hapësirat publike dhe shërbimet për pushuesit kanë krijuar kushte më të mira për vizitorët, ndërsa institucionet lokale synojnë të forcojnë më tej promovimin e potencialeve turistike të zonës.
Prej 28 vitesh, promovimi i turizmit shqiptar është një nga misionet kryesore të Miss Shqipëria, ndaj edhe këtë vit stafi dhe konkurrentet e spektaklit u ndalën në Kavajë në kuadër të udhëtimit promovues drejt finales së madhe që do të zhvillohet më 6 qershor në Pogradec.





