Pavarësisht kundërshtimit të fortë nga Pekini dhe autoritetet lokale, Japonia mori miratimin nga mbikëqyrësi bërthamor i Organizatës së Kombeve të Bashkuara të martën për të shkarkuar në oqean ujë radioaktiv të trajtuar nga centrali Fukushima, i cili u dëmtua rëndë nga një cunami.

 

Pas një periudhe dyvjeçare monitorimi, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) përcaktoi se planet e propozuara të Japonisë i përmbahen standardeve ndërkombëtare të sigurisë dhe do të kishin pasoja minimale radiologjike si për individët, ashtu edhe për mjedisin.

 

“Sot është një natë shumë e veçantë”, i tha shefi i IAEA, Rafael Grossi kryeministrit Fumio Kishida.

 

Japonia nuk ka dhënë ende një datë të caktuar se kur do të fillojë procesi i kullimit të ujit, i cili vlerësohet të zgjasë midis 30 dhe 40 vjet për të përfunduar.

 

Fillimi i procesit i nënshtrohet miratimit zyrtar nga mbikëqyrësi bërthamor i vendit – Tepco. Vendimi përfundimtar nga rregullatori bërthamor pritet të shpallet që në fillim të kësaj jave.

 

Plani i qeverisë, i planifikuar fillimisht për vitin 2021, është përballur me kundërshtime nga sindikatat vendase të peshkatarëve japonezë, por edhe aktivistë ambientalistë.

 

Për më tepër, disa vende fqinje kanë shprehur shqetësime për ndikimin e mundshëm në mjedisin detar dhe shëndetin publik për disa vite.

 

Pekini në veçanti e ka kritikuar planin.

 

“Japonia do të vazhdojë t’i japë shpjegime popullit japonez dhe komunitetit ndërkombëtar në mënyrë të ndershme të bazuar në prova shkencore dhe me një nivel të lartë transparence”, tha kryeministri Kishida në takimin me Grossin./rel

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *