Subscribe

Irfan Tarelli, drejtor i politikave bujqësore në ministri, gjatë një interviste në emisionin “E-ZONE” në Vizion Plus dha disa detaje mbi skemën e miratuar për mbështetjen e fermerëve. Sipas tij do të përfitojnë të gjithë njësoj si një vit më parë, ndërsa pritshmëritë janë që numri do të kalojë mbi 70 mijë fermerë.

“Skema garanton që çdo aplikant që plotëson kriteret do të përfitojë. Gjithashtu  po të shohim vendimin e qeverisë, për të gjitha masat mbështetëse, bie parimi kush vjen i pari përzgjidhet i pari. Ky parim nuk aplikohet më dhe nuk ka nevojë të krijohen radhë nga ana e fermerëve. Aplikimi është i vlefshëm si ditën e parë ashtu dhe ditën e fundit”,  tha Tarelli.

Gjithashtu Tarelli konfirmon se skema e mbështetjes së fermerëve është e ngjashme me skemat që aplikohen në Bashkimin Europian. Edhe pse fermerët kërkojnë subvencion për njësi prodhimi, Tarelli thotë se edhe BE jep mbështetje për krerë, sa i përket sektorit të blegtorisë.

“Kjo është një praktikë  standarde që aplikohet në shumë vende, pagesa për krerë.  Dhe ne mendojmë që është pagesa që i përshtatet realitetit tonë, sepse koncepti i pagesave direkte është mbështetje për të ardhurat e fermerit, nuk është e lidhur me prodhimin. Nëse hyjmë në terrenin praktik mbështetja për njësi prodhimi është më e vështirë, pasi kërkon cilësi prodhimi. Pagesat e lidhur me prodhimin nuk zbatohen në vendet e BE, pra ne po ndjekim të njëjtën skemë që zbaton unioni”, sqaroi Tarelli në “E-ZONE”.

Aplikimet për këtë skemë do të nisin në datën 27 mars dhe afati do të jetë i hapur për tre jave. Fondi fillestar është 3.3 miliardë lekë. /vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *