Subscribe

Ministrat e Jashtëm të BE që diskutojnë sot në Luksemburg për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut ndoshta do të kenë një diskutim jo fort të gjatë. Franca ka paralajmëruar se do të pengojë me veto fillimin e bisedimeve të anëtarësimit. Ky vend është i mendimit, se reformat e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut nuk janë të mjaftueshme, shkruan gazeta gjermane “Handelsblatt”. Presidenti francez, Emmanuel Macron kërkon më parë një reformim të thellë të procesit të anëtarësimit si kusht për të dhënë miratimin e tij.

 

Krahas Francës, hezituese është edhe Holanda, e cila më shumë është për t’i thënë po çeljes së negociatave me Maqedoninë e Veriut. Me Shqipërinë ky vend sheh më shumë probleme, u shpreh kryeministri holandez, Mark Rutte në një takim të fundit me kancelaren Merkel në Berlin. Edhe Danimarka është skeptike.

Në BE veç vendeve të lartpërmendura ekziston një frymë pozitive për çeljen e negociatave, pas rekomandimit pozitiv të dhënë një vit më parë nga Komisioni Europian. Gjermania e mbështet çeljen e negociatave, pas disa kushteve imediate që vendosi Bundestagu, të cilat duhen realizuar deri në konferencën e parë të anëtarësimit, por edhe kushteve të tjera afatgjata.

 

Në bisedimet në Luksemburg të martën, Gjermania përfaqësohet nga ministri i shtetit për Europën në Ministrinë e Jashtme, Michael Roth, i cili është një përkrahës i bindur i çeljes së negociatave. Në një intervistë të mëparshme për Deutsche Ëellen, Michael Roth theksoi se kemi nevojë për unanimitet në Këshillin Evropian. “Të dyja vendet kanë bërë përparime të jashtëzakonshme. Nga këndvështrimi ynë, kushtet janë përmbushur që të fillojnë negociatat e pranimit. Por, natyrisht, ka ende shumë për të bërë në drejtim të sundimit të ligjit, pavarësisë së gjyqësorit. Edhe çështja e pajtimit në rajon është ende sprovë, jo vetëm për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, por edhe për pjesën tjetër të Ballkanit Perëndimor. ”

Por nëse thirrjet e Michael Roth, se duhet të dërgojmë mesazhe inkurajuese pozitive në drejtim të Ballkanit Perëndimor do të dëgjohen nga vendet skeptike, kjo është më se e pasigurtë./VOA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *