Presidenti Ilir Meta tha se sot bëhen 67 vite nga hyrja në fuqi e Konventës Europiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive themelore, duke shtuar se kjo konventë orientoi zhvillimet demokratike edhe në Shqipërinë post-komuniste.

24 vite pas bërjes palë të kësaj Konvente, Meta shkruan se Shqipëria ka nevojë për një analizë serioze për të vlerësuar masën në të cilën të drejtat dhe standardet demokratike që cakton KEDNJ janë garantuar për shtetasit e saj.

“Sot bëhen 67 vite nga hyrja në fuqi e Konventës Europiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore. KEDNJ solli një perceptim të ri për këto të drejta dhe i dha hov zhvillimeve demokratike në hapësirën europiane. Kjo Konventë e rëndësishme orientoi zhvillimet demokratike edhe në Shqipërinë post-komuniste. E ratifikuar në vitin 1996, ajo u integrua në tekstin Kushtetues që u miratua me referendum në vitin 1998. KEDNJ përforcoi të drejtat dhe liritë themelore të njeriut. Bashkë me Kushtetutën ato përcaktojnë bazën dhe kufijtë e veprimtarisë së shtetit tonë në raport më të drejtat e njeriut. Pandemia COVID-19 ishte dhe mbetet një test për çdo vend, që të garantojë maksimalisht liritë e të drejtat për shtetasit e vet, madje edhe në rastet e fatkeqësive natyrore. Në këtë test po kalon edhe Shqipëria.”

Meta gjithashtu iu bëri thirrje qytetarëve që të jenë të vëmendshëm në këtë periudhe pandemie duke treguar kujdes makismal, ndërsa theksoi se populli ka të drejtë të informohet se si ka vepruar qeveria përgjatë kësaj kohe.

“Në këtë ditë me rëndësi të veçantë, dua të sjell në vëmendje të të gjithëve se, përveç kujdesit dhe trajtimit shëndetësor të denjë ndaj qytetarëve, ligjshmëria, nevoja, proporcionaliteti dhe mosdiskriminimi – janë testet që duhet të përsëriten çdo ditë nga organet shtetërore për secilën masë kufizuese që po na shoqëron në përditshmërinë tonë në luftën kundër COVID-19. Ndërsa transparenca mbi motivet e caktimit të këtyre masave është pasqyra para së cilës duhet të dalë Qeveria për të reflektuar. Qytetarët kanë të drejtë të informohen se si ka vepruar Qeveria e tyre përgjatë kësaj periudhe të vështirë dhe se sa të mbështetura në Kushtetutë dhe Konventë janë vendosur dhe zbatuar këto masa kufizuese përgjatë gjithë kësaj kohe. Nëse nuk ka transparencë, çdo gjë shuhet dhe bie në errësirën e së keqes. Të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, janë të patjetërsueshme, të panegociueshme, e të pacënueshme!”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *