Meloni presion aleatëve në qeveri, kërcënon se mund të çojë vendin në zgjedhje këtë vit

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni po humbet durimin me aleatët e saj në qeveri.
Përplasjet e vazhdueshme brenda koalicionit të djathtë kanë bërë që ajo të paralajmërojë mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme, nëse partnerët politikë nuk arrijnë të kapërcejnë mosmarrëveshjet.
Sipas gazetës italiane “Corriere della Sera”, gjatë një bisede me drejtuesit e Legës dhe Forza Italia, Meloni ka qenë e drejtpërdrejtë:
“Jeni ju që më kërkoni të shkojmë deri në fund të mandatit. Dhe mendoni se unë do të pranoj ta bëj këtë në këto kushte?” mësohet të ketë thënë Meloni.
Shefja e qeverisë italiane ka shkuar edhe më tej, duke paralajmëruar se zgjedhjet mund të zhvillohen shumë më herët nga sa ishte parashikuar.
“Nëse vazhdojmë kështu, në vend që të shkojmë në zgjedhje në nëntor të vitit të ardhshëm, do të shkojmë në nëntor të këtij viti”, ka theksuar ajo sipas mediave.
Në qendër të pakënaqësisë janë përplasjet me partinë e Matteo Salvinit për amendamentet e shumta të paraqitura në buxhet, debatet për ndihmën ndaj Ukrainës, si dhe kundërshtimi i Forza Italia për një dispozitë që synon uljen e kostove të librave shkollorë digjitalë.
Mosmarrëveshjet shtrihen edhe te reforma e pensioneve, ku Salvini ka kërkuar 500 milionë euro shtesë për skemën “Quota 64”, kërkesë që Meloni e ka refuzuar.
Sipas raportimit, kryeministrja është e prirur drejt zgjedhjeve në maj, por nuk përjashton përfundimin normal të mandatit në vjeshtën e vitit 2027, nëse aleatët ndryshojnë qëndrim.
Tashmë, sfida për Melonin nuk është vetëm ruajtja e shumicës parlamentare, por edhe mbajtja nën kontroll e një koalicioni ku rivalitetet mes partnerëve po kërcënojnë stabilitetin e qeverisë.




