Nga vërshimet në Libi, që kanë vrarë mijëra persona që qytetin Derna, janë zhvendosur mbi 43.000 persona, tha Organizata Ndërkombëtare për Migrim.

 

Vërshimet shkatërruan dy diga në Derna më 10 shtator, duke shkatërruar lagje dhe shumë shtëpi.

 

Shifrat zyrtare e të vdekurve është mbi 3.300, por grupet ndërkombëtare të ndihmës kanë thënë se numri pritet të rritet pasi vlerësojnë se deri në 10.000 persona konsiderohen të zhdukur.

 

“Një vlerësim prej 43.059 persona janë zhvendosur si pasojë e vërshimeve në verilindje të Libisë”, tha Organizata Ndërkombëtare për Migrim, duke shtuar se “mungesa e furnizimeve me ujë ka shtyrë shumë persona që të zhvendosen nga Derna” për në zona të tjera.

 

Banorët në këto zona, sipas kësaj organizate kanë nevojë “për ushqim, ujë të pijshëm”, por edhe përkujdesje për shëndetin mendor.

 

Më herët gjatë javës, Kombet e Bashkuara paralajmëruan se përhapja e sëmundjeve mund të sjellë “një krizë të dytë shkatërruese” në zonat e goditura nga vërshimet.

Zyrtarët lokalë, agjencitë e ndihmës dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë “janë të shqetësuar lidhur me rrezikun e shpërthimit të sëmundjeve, veçmas të sëmundjeve që shkaktohen nga uji i kontaminuar”, thanë Kombet e Bashkuara.

 

Qendra për kontrollin e sëmundjeve në Libi ka paralajmëruar se në zonat e prekura nga vërshimet uji vazhdon të jetë i ndotur, duke u bërë thirrje qytetarëve që të mos e përdorin për pije./REL/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *