Subscribe

Mazhoranca ka miratuar ndryshimin e Kushtetutës për të lejuar organet e vetingut të qëndrojnë në detyrë deri në fund te vitit 2024.

 

Opozita serish e bojkotoi mbledhjen e përbashkët të Komisionit të Ligjeve dhe Këshillit të Legjislacionit dhe e vetmja votë kundër këtij ndryshimi ishte e LSI. Por shumica socialiste ftoi Partinë Demokratike të votojë pro zgjatjes së mandatit të organeve të vetingut, duke vënë në dukje se kjo nuk është një çështje politike e duke theksuar se ndërhyrja në Kushtetutë ka mbështetjen e SHBA dhe BE.

 

Mandati i organeve të vetingut përfundon në muajin qershor; por në harkun kohor të 5 viteve vetëm 482 magjistratë kanë kaluar në filtrin e vetingut; nga rreth 800 që duhet të kalojnë skanerin ne total.

 

Sipas Kushtetutës të miratuar në korrikun e 2016, kur këtyre organeve u përfundon mandati; vetingun duhet ta kryejë Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe ai i Prokurorisë. Por Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian, operacioni ndërkombëtar i monitorimit dhe PS gjykojnë se procesi duhet të mbyllet nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Për të zgjatur mandatin e këtij komisioni dhe për të ndryshuar Kushtetutën duhen 94 vota dhe kjo nuk mund të realizohet pa mbështetjen e PD, pasi mazhoranca ka vetëm 77 deputetë.

 

PD ende nuk është shprehur qartë nëse është pro apo kundër ndërhyrjes në Kushtetutë dhe në këto kushte mbetet për t’u parë çfarë qëndrimi do të mbajë Lulzim Basha ndaj një nisme që mbështetet nga SHBA.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *