Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani gjatë seancës së sotme plenare ka paraqitur projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes për bashkëpunimin mbi sigurinë dhe mbështetjen afatgjatë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Ukrainës”.
Marrëveshja synon të forcojë partneritetin strategjik ndërmjet dy vendeve, duke përfshirë mbështetje në fusha si siguria, mbrojtja, ndihma humanitare dhe rindërtimi, në kuadër të angazhimit të vazhdueshëm të Shqipërisë për të qëndruar përkrah Ukrainës në përballje me agresionin rus.
Ministri Hasani: Jam këtu për të paraqitur një marrëveshje që shkon përtej fjalëve dhe protokolleve, ajo përfaqëson vlerat, bindjet dhe angazhimet tona si një vend i lirë, demokratik dhe i përgjegjshëm, marrëveshjen për sigurinë dhe bashkëpunimin afatgjatë ndërmjet Shqipërisë dhe Ukrainës, e nënshkruar më 21 janar të këtij viti. Shqipëria dhe Ukraina konfirmojnë respektin reciprok dhe vullnetin për të zbatuar parimet dhe normat demokratike që rregullojnë marrëdhëniet ndërmjet shteteve sovrane. Kjo marrëveshje synon që, në përputhje me kapacitetet tona, Republika e Shqipërisë të forcojë mbështetjen politike, teknike, ushtarake, mbrojtëse dhe humanitare për Ukrainën.
Situata në Ukrainë mbetet e vështirë, si në aspektin e sigurisë, ashtu edhe në planin humanitar dhe ekonomik, ku pasojat e luftës ndihen thellësisht. Në këto rrethana, përpjekjet për një zgjidhje paqësore janë jo vetëm të nevojshme, por një domosdoshmëri. Që prej fillimit të agresionit të paprovokuar nga Rusia ndaj Ukrainës, Shqipëria ka qëndruar qartë në anën e ligjit dhe në krah të popullit ukrainas. Për dy vite radhazi, si anëtar jo i përhershëm i Këshillit të Sigurimit, kemi qenë bashkautorë të rezolutave, thirrjeve për llogaridhënie dhe debateve ku është denoncuar agresioni rus.
Kemi mbajtur gjithmonë një qëndrim të qartë, në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara, për të dënuar çdo përpjekje për të shkelur parimet bazë të bashkëjetesës ndërkombëtare. Sot, me këtë marrëveshje, forcojmë këtë qëndrim. I japim Ukrainës jo vetëm mbështetje politike dhe morale, por edhe një kuadër të qëndrueshëm bashkëpunimi në fusha konkrete – nga siguria dhe mbrojtja, te rindërtimi dhe drejtësia ndërkombëtare.
Ministri Hasani theksoi se kjo marrëveshje është në përputhje të plotë me Kushtetutën tonë. Hasani tha se vendi ynë, përmes kësaj marrëveshjeje angazhohet në katër fusha kryesore.
Ministri Hasani: Përmes kësaj marrëveshjeje ne angazhohemi në katër fusha kryesore, siguri dhe mbrojtje, përfshirë bashkëpunim në industrinë mbrojtëse, llogaridhënie dhe drejtësi ndërkombëtare, ndihmë humanitare dhe rindërtim dhe së fundmi reagim në rast përshkallëzimi për të garantuar që jemi të përgatitur për bashkëpunim në çdo skenar. Si një anëtar i NATO-s Shqipëria ka treguar se është e gatshme të marrë përgjegjësinë që i takon jo thjesht në mbrojtje të kufijve tanë./vizionplus.tv





