Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manatirliu, deklaroi këtë të enjte nga Kuvendi se marrëveshja me Bankën Europiane për Zhvillim dhe Ndërtim do të jetë një mbështetje direkte për fuqizimin e kapaciteteve të sistemit shëndetësor në reagimin ndaj emergjencës COVID.

 

“Ky financim që ne sot kalojmë, marrëveshja me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, do të fuqizojë kapacitetet e sistemit tonë shëndetësor në reagimin e emergjencës Covid19. Kjo marrëveshje parashikon që në vlerën 15 milion euro, të përdoret për 3 komponentë kyç në reagimin ndaj emergjencës Covid. Së pari në parandalimin e përhapjes së infeksionit Covid19 dhe rritjen e kapaciteteve laboratorike, në përputhje me strategjinë strategjinë tonë të vjeshtë-dimrit. Së dyti, rritja e kapaciteteve të sistemit shëndetësor për trajtimin e pacientëve me Covid 19 dhe sëmundjet që lidhen me të, duke filluar nga rekrutimi I stafeve të reja, sigurimin e autoambulancave të reja dhe zgjerimin e kapaciteteve spitalore. Së treti përfshin edhe masat për komunikimin dhe distancimin fizik si dhe duke përmirësuar nëpërmjet teknologjisë së informacionit edhe konsultat online.”

 

Gjatë fjalës saj, Manastirliu tha se buxheti i vitit 2021 për shëndetësinë do të rritet me 23%.

 

“Buxheti për vitin 2021 për sektorin e shëndetësisë rritet me 23%, përfshirë këtu angazhimet që qeveria shqiptare ka marrë në funksion të mbështetjes së gjithë personelit shëndetësor me rritjen 40% të pagave për mjekët, infermierët, laborantët, farmacistët që punojnë në të gjithë sistemin tonë shëndetësor, të cilët meritojnë trajtimin dhe mbështetjen maksimale. Përsa i përket buxhetit të shëndetësisë për vitin 2021, kemi rritur edhe mbështetjen direkte për nevojat që paraqiten në raport me parandalimin dhe kontrollin e infeksionit, me reagimin dhe mbështetjen e sistemit shëndetësor dhe gjithashtu edhe me mbështetjen e stafeve tona me bonuset special për ata që janë në vijën e parë të luftës.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *